Autoritetet serbe kanë ndaluar sot një qytetar nga Maqedonia e Veriut, pasi me kamionin e tij përplasi një punonjës të shërbimit të urgjencës.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të Drejtorisë Policore të Leskovcit, personi u lokalizua dhe u vu në pranga pasi mjeti i tij i rëndë goditi shoferin e një ambulance të parkuar në korsinë e emergjencës, në afërsi të Grdelicës.
Autoritetet kanë caktuar masën e ndalimit deri në 48 orë për të dyshuarin.
Ngjarja e rëndë u regjistrua dje në orët e pasdites në zonën e Grdelicës, në momentin kur një autoambulancë që po transportonte një fëmijë 10-vjeçar nga Vranja në drejtim të Nishit pësoi defekt teknik.
Teksa drejtuesi i ambulancës kishte zbritur për të riparuar avarinë, një kamion e goditi atë.
Të dhënat paraprake tregojnë se kamioni u përplas me portën e hapur të ambulancës, e cila më pas e projektoi me forcë shoferin.
Si pasojë e përplasjes, ai u rrëzua dhe përplasi kokën në sipërfaqen e betonit, duke u dërguar me urgjencë drejt Qendrës Klinike Universitare të Nishit me plagë të rënda.
Rastësisht, një mjeke ndodhej në vendin e aksidentit dhe mori përsipër transportimin e djalit, i cili dyshohej se vuante nga apendiciti, duke e çuar me automjetin e saj personal në Nish.
