Tubimi i radhës, i 53-ti me radhë, ka përfunduar pas një marshimi nëpër rrugët e kryeqytetit, ku pjesëmarrësit shprehën kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës dhe i bënë thirrje SPAK-ut të vërë nën hetim shefin e qeverisë.
Gjatë revoltës u dëgjuan thirrje si “Vini në pranga Ramën”, “Kuvendi i korrupsionit” dhe “Shqipëria do ndryshim rrënjësor”.
Të lidhura
None found
Prej 53 ditësh pa ndërprerje, qytetarët kanë dalë në shesh për të kundërshtuar kryeministrin dhe administratën e tij, të cilën e konsiderojnë të përfshirë në afera korruptive. Ata paralajmërojnë se lëvizja nuk do të ndalet derisa Rama të largohet nga pushteti.
Teksa nesër shënohet dita e 54-të e protestës, organizatorët kanë bërë të ditur se revoltat do të nisin që në orët e para të mëngjesit.
Më 23 korrik është planifikuar seanca e fundit plenare për këtë sesion parlamentar. Për këtë arsye, drejtuesit e protestës u kanë bërë thirrje mbështetësve që fillimisht të grumbullohen në sheshin “Skënderbej” në orën 08:30 dhe më pas të nisen në marshim përpara selisë së Parlamentit.
Gjithashtu është paralajmëruar se tubimi do të përfshijë edhe veprime simbolike, si goditja me vezë apo hedhja e miellit ndaj ligjvënësve.
