Kosova do të luajë të martën ndeshjen më të rëndësishme në historinë e saj, përballë Turqisë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Finalja e “play-off”- it për kualifikimin në Botërorin 2026, nis në orën 20:45 dhe pritet të jetë një sfidë vendimtare për “Dardanët”.
Pas fitores së madhe në Bratislavë ndaj Sllovakisë, atmosfera në kampin kosovar është shumë pozitive. Sulmuesi Fisnik Asllani thekson se skuadra ka fituar vetëbesim dhe është gati për këtë përballje historike.
Të lidhura
None found
“Atmosfera është shumë e mirë në ekip. Fitorja na ka dhënë vetëbesim dhe ndaj Turqisë shpresojmë të bëjmë një ndeshje të madhe. Do t’i kemi tifozët pranë dhe synojmë fitoren për të shkuar në Botëror”, u shpreh ai për Federatën e Futbollit të Kosovës.
Asllani shton se favoritët vendosen vetëm në fushë: “Nuk ka rëndësi kush cilësohet favorit. Edhe Sllovakia dhe Suedia ishin të tilla. Ne do të bëjmë punën tonë dhe do të japim maksimumin, pastaj flet rezultati”.
Ai pret një atmosferë elektrizuese në tribuna: “Presim mbështetje të madhe nga tifozët. Ne do ta lëmë zemrën në fushë dhe bashkë me ta mund ta fitojmë këtë ndeshje”.
PORTIERI ARO MURIÇ Në prag të kësaj sfide vendimtare, edhe portieri Arijanet Muriç ka shprehur besimin maksimal te skuadra.
“Jemi gati dhe besoj se do të jetë një natë e bukur në Prishtinë. Do të japim gjithçka për të fituar. Deri në fund asgjë nuk përfundon dhe tani gjithçka është në dorën tonë. E kemi merituar të jemi këtu dhe do të japim maksimumin për fitoren”, deklaroi ai.
Gardiani i portës nuk harroi të falënderojë tifozët për mbështetjen e vazhdueshme: “Mbështetja e tifozëve ka qenë e jashtëzakonshme. Kanë qenë gjithmonë pranë nesh dhe jemi mirënjohës. Shpresojmë t’i bëjmë krenarë duke dhënë maksimumin në fushë”.
Kosova është vetëm një hap larg historisë dhe e gjithë vëmendja është te përballja e madhe e së martës, ku “Dardanët” synojnë të shkruajnë kapitullin më të artë të futbollit të tyre. Amir Rrahmani, ka qenë mungesa kryesore e Kosovës në ndeshjen ndaj Sllovakisë, por edhe për finalen e “play off”-it kundër Turqisë.
