Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, tha se partitë e reja politike, së bashku me përfaqësuesit e protestës, kanë mundësi të fitojnë zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.
Sipas tij, ky vlerësim bazohet në sondazhe të kryera në mënyrë të rregullt. Shehaj rikujtoi gjithashtu se një vit më parë kishte hedhur idenë për kandidimin e një figure apolitike, e cila do të mbështetej nga partitë e reja.
Të lidhura
None found
“Bëhet fjalë për rezultate nga survejime dhe sondazhe të rregullta. Edhe vitin e kaluar ne propozuam që për Bashkinë e Tiranës të dilte një kandidaturë apolitike. Kjo formulë nuk u zbatua në praktikë, pasi zgjedhjet nuk u zhvilluan, por ajo mbetet ende e vlefshme. Sot kemi edhe një faktor të ri, protestuesit dhe vetë protestën, që kërkojnë ndryshimin e klasës politike”, deklaroi Shehaj.
Ai nënvizoi se duhet pritur formimi i një përfaqësie nga studentët, me të cilën partitë politike të mund të ulen në bisedime për mundësinë e një bashkëpunimi.
Shehaj sqaroi se situata e tanishme ndryshon nga propozimi i mëparshëm, i cili parashikonte një kandidat të mbështetur nga e gjithë opozita. Sipas tij, këtë herë bëhet fjalë për një kandidaturë që do të kishte mbështetjen e partive të reja dhe të protestuesve.
“Nëse në zgjedhjet e mëparshme isha i bindur se fitorja mund të arrihej me një kandidat të mbështetur nga e gjithë opozita, sot vlerësoj se shanset janë te një kandidat që mbështetet vetëm nga partitë e reja dhe protestuesit. Ne e kemi bërë të qartë se jemi të hapur për bashkëpunim. Kurdo që të jetë e nevojshme, jemi të gatshëm”, u shpreh kreu i Partisë Mundësia.








