Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në Samitin e Dytë Botëror për Zhvillimin Social të Kombeve të Bashkuara, që po zhvillohet në Doha të Katarit.
Samiti mblodhi udhëheqësit botërorë për të diskutuar veprimet konkrete dhe përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare, për zhvillimin social dhe reduktimin e pabarazisë.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj, theksoi se për Shqipërinë, ky samit përfaqëson një mundësi për të riafirmuar përkushtimin ndaj drejtësisë sociale dhe zhvillimit të qëndrueshëm, për të forcuar partneritetet ndërkombëtare dhe për të promovuar reformat që garantojnë përfshirje më të gjerë sociale.
Duke e cilësuar Samitin e Dohas si një thirrje për veprim për një epokë të re drejtësie dhe solidariteti, Kreu i Shtetit nënvizoi se Shqipëria, në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e sheh këtë platformë si thelbësore për përafrimin e politikave kombëtare me standardet ndërkombëtare.
Presidenti Begaj, iu referua Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin dhe Integrimin, duke theksuar objektivin për të lidhur zhvillimin kombëtar me integrimin evropian, përmes qeverisjes së mirë dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.
“Ne kemi reformuar sistemet tona të shëndetësisë, arsimit, punësimit dhe mirëqenies për të siguruar akses dhe drejtësi për të gjithë. Digjitalizimi i shërbimeve publike i ka bërë institucionet më transparente dhe më të afërta me qytetarët”, deklaroi Presidenti Begaj.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti theksoi njohjen që Kombet e Bashkuara i kanë bërë Shqipërisë për përpjekjet në drejtim të barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale.
“Megjithatë, përparimi nuk duhet marrë si i mirëqenë. Ndërsa përballemi me tranzicionet digjitale, demografike dhe mjedisore, sistemet e mbrojtjes sociale duhet të përshtaten me realitetet e reja. Duhet të kapërcejmë hendekun digjital, të fuqizojmë komunitetet rurale dhe të ndërtojmë sisteme sociale të qëndrueshme përballë sfidave të klimës”, – u shpreh Kreu i Shtetit.
Në përfundim, Presidenti Begaj bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar, duke theksuar: “Le të punojmë bashkërisht për ta shndërruar këtë samit në një pikë kthese për të vendosur njerëzimin në zemër të zhvillimit”.

