Akademia e Forcave të Armatosura hedh poshtë akuzat ndaj Presidentit Begaj: Ka qenë kërkues shkencor, jo pedagog. Mori pagesat e prapambetura

Akademia e Forcave të Armatosura ka reaguar pas akuzave të ditëve të fundit në lidhje me pagesat e kryera ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke sqaruar se ai nuk ka qenë asnjëherë pedagog, as i brendshëm dhe as i jashtëm, por ka qenë i angazhuar si kërkues shkencor në periudhën 2013–2018.

Sipas njoftimit zyrtar, Presidenti Begaj, në funksionet e tij të mëparshme si mjek ushtarak, ka qenë pjesë e ekipeve të kërkimit shkencor ushtarak së bashku me një staf akademik prej 15 profesorësh dhe është angazhuar në udhëheqjen e temave shkencore të ciklit të tretë të studimeve (Doktoratë) pranë AFA.

Akademia sqaron se pagesat e përmendura lidhen me shlyerjen e detyrimeve financiare të prapambetura për të gjithë personelin akademik të përfshirë në procesin e kërkimit shkencor gjatë viteve 2013–2018.

Këto pagesa, sipas institucionit, janë kryer në vitin 2022 dhe 2024, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me aktet nënligjore që rregullojnë arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë.

AFA thekson se procesi është zhvilluar në mënyrë të barabartë, transparente dhe me dokumentacion të plotë financiar e administrativ, i cili mund të verifikohet nga çdo institucion kompetent.

Në përfundim, Akademia e Forcave të Armatosura shprehet se mbetet e hapur për çdo verifikim nga organet përgjegjëse, duke ftuar median të ushtrojë misionin e saj mbi bazën e fakteve të verifikuara dhe të shmangë keqinformimin e opinionit publik.


Shtuar 17.10.2025 16:30