Një javë pas ngjarjes tragjike të vrasjes së trefishtë në qendër të Gjilanit, krimi mbetet ende i pazbuluar ndërsa qytetarët dhe familjarët e viktimave vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.
Në këtë incident, babë e bir Selami dhe Edmond Hasani të njohur në qytet si argjendarë, humbën jetën në një kafene pranë objektit të komunës, ndërsa Abedin Hoxha që kishte mbetur i plagosur vdiq më vonë në spital si pasojë e plagëve.
Autorët e dyshuar, Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull, ndodhen ende në arrati dhe të njëjtit janë shpallur në kërkim nga policia menjëherë pas rastit.
Lidhur me vendndodhjen e tyre policia, ka thënë se ende nuk kanë diçka të re dhe se po punohet intensivisht për lokalizimin e tyre.
“Po punohet intensivishta lidhur me rastin që keni pyet. Në momentin që ka zhvillime të reja që lidhen me këtë rast menjëherë do të ju njoftojmë”, ka deklaruar për Telegrafin, togeri Ismet Hashani nga Policia rajonale e Gjilanit.
Lidhur me rastin e fundit qindra qytetarë protestuan të premten para objektit të gjykatës me pankarta që kërkonin drejtësi dhe zbardhje të rastit. Ndërkohë, zyrtarë të lartë politikë reaguan me shqetësim.
Inspektorati Policor i Kosovës, ka rekomanduar pezullimin e katër zyrtarëve policorë në Gjilan, për të hetuar nëse ka pasur ndonjë neglizhencë ose shkelje të procedurës para apo pas ngjarjes.
Hetimet janë në vazhdim, ndërsa autorët mbeten ende të lirë.