Matura Shtetërore/ 27 mijë nxënës testohen sot në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi

Ditën e sotme (e martë, 10 Qershor), rreth 27 mijë maturantë do t’i nënshtrohen provimit të dytë të maturës shtetërore, atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.

Provimi do të zhvillohet në ambientet e shkollave të mesme, që plotësojnë kushtet e përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore.

Nxënësit duhet të paraqiten në orën 08:30, ndërsa provimi nis në orën 10:00 dhe përfundon në 12:30.

Këtë vit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka vendosur që të ketë edhe teste të personalizuara për maturantët që janë me aftësi speciale.

Ministria e Arsimit, ka përcaktuar një sërë rregullash për zhvillimin e provimit. Të gjithë maturantët duhet të kenë me vete mjet identifikimi (kartë ID ose pasaportë) dhe të jenë të veshur në mënyrë të rregullt, preferohet me uniformën e shkollës.

Gjatë provimit ndalohet përdorimi i telefonave celularë, orëve inteligjente (smart) dhe çdo pajisjeje tjetër teknologjike.

Testi duhet plotësuar me stilolaps me një ngjyrë të vetme dhe maturantët janë të detyruar të firmosin në momentin e marrjes dhe dorëzimit të testit.

Maturantët nuk lejohen që të largohen nga sallat e provimit para orës 12:30.

Kujtojmë se më 3 Qershor, maturantët iu nënshtruan provimit të parë, atij të gjuhës së huaj, teksa do të zhvillojnë provimin e Matematikës më 17 qershor dhe më pas Provimin me Zgjedhje më 24 qershor.

Ashtu si edhe në vitet e kaluara, testi i provimit u publikua në rrjet, teksa maturantët ishin ende duke zhvilluar provimin, por Ministria e Arsimit u justifikua me pretendimet se kjo gjë nuk e dëmton procesin.