Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili ndodhet prej më shumë se dy javësh në qeli, ka reaguar sërish.
Ai shkruan se prokurori Ols Dado, ka stisur aq shumë në dosjen e rremë kundër tij, saqë i ka faturuar si korrupsion edhe lejen për ndërtimin e një banese një katëshe të një familjeje në Yrshek.
Postimi i Veliajt:
“Prokurori ndërtues Ols Dado ka stisur aq shumë në dosjen e rremë kundër meje, saqë më ka faturuar si korrupsion edhe këtë shtëpi modeste 1-katëshe, që një familje e nderuar nga Yrsheku, me kursime e borxhe, ka ndërtuar me dokumentacionin ligjor të dhënë nga shoqëria “Fusha”. Prokurori ndërtues e di shumë mirë që për të aplikuar për leje ndërtimi, si për një shtëpi 1-katëshe, ashtu edhe për një pallat shumë katësh, ligji kërkon që ndërtimi të bëhet nga një shoqeri me licencat përkatëse.
Familja punëtore nga Yrsheku, ndryshe nga prokurori ndërtues, nuk është paraqitur asnjëherë në Bashkinë e Tiranës për t’u interesuar për lejen e ndërtimit dhe ec e merre vesh tani se si paskam bërë unë korrupsion me Fushën, për këtë shtëpi me sipërfaqe 90 m2”, shkruan Veliaj.