Ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu porositi vrasjen e gazetarit Saimir Kodra, krimi do të kryhej nga grupi Çopja

SPAK doli me njoftim zyrtar për megaoperacionin e zhvilluar këtë të hënë. Pas hetimit të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar caktoi masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyrë gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.

Mes atyre që përfundoi në pranga ishte edhe ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu, ndaj të cilës më herët është lënë në masë sigurie edhe për një çështje tjetër, në lidhje po me krimin e organizuar.

Por nga përgjimet e përftuara nga SPAK, gjyqtarja Fetahu është përfshirë në një tentativë për t’u hakmarrë ndaj drejtuesit të emisionit “Stop”, Saimir Kodra.

Sipas dosjes, ish gjyqtarja e arrestuar Pajtime Fetahu ka porositur bandat e Elbasanit për të goditur dhe eliminuar fizikisht drejtuesin e Emisionit Stop, gazetarin Saimir Kodra, i cili ka denoncuar lidhjet e gjyqtares me krimin e organizuar si dhe vendimet e saj korruptive.

Bisedat në lidhje me këtë çështje u publikuan në emisionin “Opinion” nga gazetari Blendi Fevziu.

“I bën me dije gjyqtarja Pajtime Fetahu se ka dashur ta dëmtojë Saimir Kodrën, drejtues i emisionit investigativ “Stop”. Por në pamundësi për ta gjetur atëherë miqtë e tij, filani dhe filani, të cilët dyshohet se janë filani dhe filani, kanë djegur banesën e prindërve të tij (Saimir Kodrës). Nga biseda dyshohet se gjyqtarja Pajtime Fetah ka një shqetësim në lidhje me drejtuesin e emisionit “Stop” për të cilin personi me të cilin kjo flet thotë se do të hakmerret ndaj tij dhe shprehet se për atë që i ka bërë asaj do ta paguajë 10-fish. Biseda e përftuar është siç vijon thotë dhe është me fjalë të tmerrshme për Saimir Kodrën”, tha Fevziu.

Ndërkohë më tutje lexoi edhe bisedën në lidhje me Saimir Kodrën.

“Në fakt unë doja ta dëmtoja direkt Saimirin. Ishte e pamundur, ruhej shumë. Flinte te “Plaza” vetë qeni, por do ta kap. Atë që të ka ba ty ai do ta paguajë 10-fish. Do më falësh që nuk jam marrë shumë me të, se e di jemi të ngarkuar. Ta kalojmë këtë valë, nuk të falet, do ta paguajë për atë që të ka bërë ty. Me atë jam marrë personalisht”, tha Fevziu.

Një nga figurat e krimit i ka vendosur gjyqtares në dispozicion një telefon SkyEcc, e cila përmes këtij telefoni ka komunikuar me personazhe të tjerë të krimit, duke porositur goditjen e gazetarit Kodra. Për të realizuar aktin krimin, gjyqtarja ka angazhuar Endri dhe Klejdi Çopja, anëtarë të bandës Çopja në Elbasan.

Krimi nuk është realizuar pasi grupi kriminal nuk e kanë gjetur dot Saimir Kodrën. Krahas hakmarrjes ndaj Saimir Kodrës, gjyqtarja Fetahu dyshohet se ka urdhëruar edhe goditjen e një avokati të njohur, mik i gazetarit investigativ Saimir Kodra, drejtues i emisionit Stop.


Shtuar 25.11.2024 23:11