Ervin Salianji ka kundërshtuar paketën fiskale për vitin 2027 në një reagim në Facebook. Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se po shton taksat për bizneset, sipërmarrësit dhe profesionistët e lirë.
Sipas Salianjit, paketa përbën goditje ndaj punës dhe sipërmarrjes, pasi barrën e korrupsionit të qeverisë, pretendon ai, po e paguajnë ata që investojnë, punojnë dhe hapin vende pune.
Të lidhura
None found
Ndryshimet e përmendura në reagim parashikojnë që tatimi mbi fitimin të rritet nga 15% në 17%, tatimi mbi dividendin nga 8% në 15%, ndërsa TVSH-ja për turizmin nga 6% në 10%. Salianji kundërshton edhe uljen e pragut të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë, duke thënë se kjo do të fusë më shumë biznese të vogla në skemën e tatimit.
Ai mbron punën, pronën dhe lirinë ekonomike, ndërsa thekson se bizneset nuk duhen përdorur si burim për financimin e shpenzimeve qeveritare.
Në reagimin e tij, Salianji shkruan:
“Rama po i shpall luftë sipërmarrjes, punës dhe biznesit! Sa më shumë korrupsion, aq më shumë taksa për bizneset, profesionistët e lirë dhe turizmin!
Paketa fiskale e vitit 2027 godet sipërmarrjen, punën dhe njerëzit që vënë në rrezik kapitalin e tyre për të krijuar diçka në këtë vend.
Tatimi mbi fitimin rritet nga 15% në 17%. Tatimi mbi dividendin thuajse dyfishohet, nga 8% në 15%. TVSH-ja për turizmin ngrihet nga 6% në 10%. Ndërkohë, pragu i TVSH-së ulet nga 10 në 5 milionë lekë, duke përfshirë më shumë biznese të vogla në skemë.
Rama nuk e ka luftuar korrupsionin, por e ka promovuar atë. Koston e korrupsionit të qeverisjes së tij po ua ngarkon njerëzve që punojnë e investojnë, atyre që marrin përsipër rrezikun dhe qytetarëve që mbajnë shtetin!
Sa më shumë skandale, aq më shumë taksa. Sa më shumë shpërdorim të parave publike, aq më e rëndë barra për biznesin. Sa më shumë para që humbasin në aferat e pushtetit, aq më shumë kërkon qeveria nga ata që i fitojnë me punë e sakrifica.
Faturën e korrupsionit qeveritar e paguajnë njerëzit e ndershëm, kurse luksin e pushtetit e financojnë ata që punojnë!
Kjo është mënyra e qeverisjes së një pushteti që nuk arrin të frenojë korrupsionin, të ulë kostot apo të krijojë kushte për zhvillim. Ajo di vetëm t’u kërkojë më shumë atyre që prodhojnë.
E djathta mbështet punën, pronën, sipërmarrjen dhe lirinë ekonomike. Fitimin e ligjshëm e sheh si shpërblim për rrezikun dhe iniciativën, jo si burim që qeveria mund ta shfrytëzojë sa herë i duhen para.
Biznesi nuk është bankomat i qeverisë. Sipërmarrësi nuk është fajtor pse punon dhe fiton. Qytetarët nuk duhet të paguajnë për abuzimet e pushtetit.
Shqipërisë i duhet një shtet që lufton korrupsionin, ul kostot, vlerëson punën dhe mbron krijuesit e pasurisë dhe vendeve të punës. Jo një qeveri që ua vështirëson jetën njerëzve të punës për të mbajtur në këmbë një sistem që po u kushton gjithnjë e më shumë qytetarëve.
Rama, jep dorëheqjen!”







