Skema e mashtrimit! 34-vjeçari merrte kredi te Fondi Besa me të dhënat e vjedhura nga qytetarët! Shpallet në kërkim, arrest shtepie për 3 punonjëset

Një tjeter skemë mashtrimi me kreditë është zbuluar nga Krimi Ekonomik në Tiranë pas disa muajsh hetime, ndërsa kësaj radhe del në skenë Fondi Besa. Rreth 11 qytetarë kanë re pre e skemës së mashtrimit, nga një 34-vjeçar i identifikuar si Ledio Vrapi, i cili është shpallur në kërkim, ndërsa për 3 punonjëset e Fondit Besa, Lindita Ndroqi, Eros Aliu, Lindita Peçi është caktuar masa arrest shtëpie. E përfshirë është edhe noterja Majlinda Demollari, për të cilën Gjykata e Tiranës ka vendosur që të hetohet në gjendje të lirë.

Si funksiononte Skema e Mashtrimit?

34-vjeçari Ledio Vrapi u kërkonte personave që kanë rënë pre e mashtrimit që të hapnin llogari bankare në emër të tyre pranë Fondit Besa. Personat në fjalë të afërm dhe të njohur të 34-vjeçarit në mirëbesim kanë rënë dakord që të hapnin llogaritë bankare, për të cilat 34-vjeçari u kishte thënë se do të hidheshin shuma parash për llogari të tij, por nuk donte që këto para të kalonin të gjitha në emrin e tij pasi nuk donte që të tërhiqte vëmendjen e autoriteteve shtetërore.

Pasi kishte mashtruar qytetarët, në bashkëpunim me punonjëset e Fondit Besa, 34-vjeçari ka arritur të marrë kredi në vlerat 5 deri në 7 mln lekë të vjetra. Qytetarët i kanë tërhequr këto para dhe ia kanë dorëzuar 34-vjeçarit, pa e ditur ishin mashtruar dhe se këto shuma të mëdha parash ishin përftuar në ‘kurriz’ të tyre. Si shpërblim për favorin e bërë, 34-vjeçari u kanë dhënë vetëm nga 500 mijë lekë të vjetra secilit.

Ledio Vrapi duke gënjyer ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit të 11 personave dhe ka bërë të mundur realizimin e dosjeve të kredisë dhe kontratave të kredise, në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, duke bërë të mundur çeljen e kredive, disbursimin dhe transferimin e shumave monetare në llogaritë bankare të personave të dëmtuar, tërheqjen e shumave dhe përvetësimin e tyre.

Në këtë veprimtari të paligjshme është përfshirë edhe noterja Majlinda Demollari, e cila dyshohet se ka kryer noterizimin e kontratave me palë shtetas që nuk kanë qenë të pranishëm dhe që nuk i kanë nënshkruar këto kontrata dhe për të cilët janë paraqitur të dhëna të rreme lidhur me adresat e banimit dhe të dhënave të tjera.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkon masa sigurie ‘Arrest në burg’ dhe ‘Arrest shtëpie’ për 5 persona nën akuzë për veprat penale të ‘Mashtrimit’ dhe të ‘Falsifikimit të Dokumenteve’.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit, kanë përvetësuar shumat e kredive të marra nga 11 persona që kanë bërë kallëzim penal duke i mashtruar dhe duke ju përvetësuar shumat monetare.

Shtetasi LedioVrapi, ka shtyrë të dëmtuarit nga kjo veprimtari kriminale që të hapnin llogari bankare në emër të tyre, ku janë transferuar shumat monetare të marra nëpërmjet kredive bankare. Po kështu, shtetasi Ledio Vrapi., nëpërmjet gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit për personat e dëmtuar dhe pa dijeninë e tyre, ka bërë të mundur realizimin e dosjeve të kredisë dhe kontratave të kredise, në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, duke bërë të mundur çeljen e kredive, disbursimin dhe transferimin e shumave monetare në llogaritë bankare të personave të dëmtuar, tërheqjen e shumave dhe përvetësimin e tyre.

Në kryerjen e këtyre veprimeve, shtetasi Ledio Vrapi, ka bashkëpunuar me shtetasit Eros  Aliu  dhe Lindita  Peçi., të cilët kanë qënë punonjës të shoqërisë ‘Fondi Besa’ sh.a, që kanë qënë në cilësinë e oficerit të kredisë, në lidhje me personat e dëmtuar. Po kështu, ka bashkëpunuar edhe me shtetasen Lindita  Ndroqi., e cila ka qënë përgjegjëse e zyrës përkatëse të ‘Fondi Besa’ sh.a, që ka patur në varësi dy punonjësit e mësipërm.

Personat e dëmtuar nuk janë paraqitur ndonjëherë në zyrat e institucionit financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, nuk kanë nënshkruar ndonjë dokument për marrjen e kredive, nuk kanë nënshkruar kontratat noteriale për marrjen e kredive, nuk kanë pasur dijeni në lidhje me ekzistencën e kredive në emër të tyre. Punonjësit e institucionit financiar ‘Fondi Besa’ sh.a kanë qënë plotësisht në dijeni të faktit se personat e dëmtuar nuk janë paraqitur në zyrat e tyre, për të aplikuar për kredi dhe për të dorëzuar dokumentacionin e kredisë, por kanë plotësuar dosjen e aplikuesve me dokumente me përmbajtje të falsifikuar.

Sa më sipër, ekzistojnë prova të mjaftueshme se shtetasi Ledio  Vrapi., në bashkëpunim me shtetaset Lindita Ndroqi,  Eros Aliu  dhe Lindita Peçi., kanë krver veprën penale të “Mashtrimit”, me pasoja të rënda dhe të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 143/3 dhe 25 të Kodit Penal.

Po kështu, ekzistojnë prova të mjaftueshme se shtetasja M. D., në cilësinë e Noteres, ka kryer veprën penale të ‘Falsifikimi i dokumenteve’, nga personi që e ka për detyrë, në 11 raste, të parashikuar nga nenet 186/3 i Kodit Penal.

Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon:

–           Të caktohet ndaj personit nën hetim Ledio Vrapi., masa shtrenguese e sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale;

–           Të caktohet ndaj personave nën hetim Lidnita Ndroqi, Eros Aliu, Lindita Peçi. dhe Majlinda Demollari, masa shtrënguese e sigurimit personal “arrest në shtepi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.penale;

–           Të caktohet ndaj personit nën hetim Majlinda Demollari. edhe masa ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale.


Shtuar 3.06.2024 16:20