Studentja ‘terroriste’ që vrau me bombë propagandistin e Putin dënohet 27 vjet burg në Rusi (fotot)

Darya Trepova është dënuar sot me 27 vjet burg pasi u shpall fajtore për sulmin terrorist ku u vra propagandisti ushtarak pro-rus Vladlen Tatarsky në një event në Shen Petersburg.

Studentja e arteve kreu atentatin e mirë-organizuar me bombë në një bar kur Tatarsky po fliste para një audience të vogël.

Ajo u dënua sot nga gjykata e Shën Petersburg për sulm terrorist, trafik ilegal eksplozivësh dhe falsifikim dokumentesh. Sulmi i 2 prillit të vitit të kaluar la gjithashtu rreth 40 të plagosur, më shumë se gjysma e të cilëve u dërguan në spital.

Mediat vendase thonë se 26 vjeçarja Trepova, organizoi me ndihme nga Ukraina atentatin për vrasjen e ish-ushtarakut rus, të lindur në Ukrainë, Vladlen Tatarsky, emri i vërtetë i të cilit ishte Maxim Fomin. Viktima ishte dënuar më parë një herë për grabitje banke.

Në event Tatarsky i ishte ofruar një statujë si dhuratë nga e reja, e cila më pas kishte shpërthyer duke e lënë të vdekur.

Eventi tragjik mbahej në barin Cyber Z Front, në pronësi të ish-kreut të grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin.

Ky i fundit raportohet se ka vdekur vitin që shkoi në një aksident ajror vitin, pasi organizoi një rebelim kundër Moskës që nuk zgjati shumë, e më pas kërkoi ndjesë.

Pas dhënies së dënimit Trepova tha: “Ndjej dhimbje e turp për naivitetin tim që solli pasoja kaq katastrofike”.

Ajo tha më tej se kishte punuar në një dyqan rrobash dhe se ishte bindur të kryente aktin nga një agjent ukrainas i quajtur Gestalt.

Trepova thotë se nuk e dinte qëllimin e statujës që po i dhuronte viktimës por kur kishte pyetur porositësit për të ata i kishin bërë krahasime me vrasjen e gazetares ruse  Darya Dugina, të kryer gjithashtu nga shërbimet ukrainase të zbulimit.

Putin i dha atij pas vdekjes nderimin shtetëror Urdhri i Kurajos.


Shtuar 25.01.2024 19:41