Operatori francez Electra do të marrë në administrim 47 lokacione të Mercedes-Benz, ku janë instaluar gjithsej 374 pika karikimi.
Prodhuesi gjerman i automjeteve ia ka shitur Electra-s rrjetin e vet të stacioneve të karikimit të shpejtë për vetura elektrike në Evropë. Nga lokacionet e transferuara, 31 janë në Gjermani dhe gjashtë në Austri. Palët nuk kanë bërë të ditur vlerën e marrëveshjes.
Të lidhura
None found
Transaksioni shoqërohet edhe me një bashkëpunim më të gjerë mes kompanive. Përmes shërbimit MB.CHARGE Public, klientët e Mercedes-Benz do të mund të përdorin rrjetin e Electra-s, i cili numëron mbi 800 stacione dhe më shumë se 5.000 pika karikimi në dhjetë vende evropiane.
Mercedes-Benz nuk ka shpjeguar në mënyrë të drejtpërdrejtë arsyen e shitjes. Megjithatë, kompania ka vënë në dukje se tregu i karikimit të veturave elektrike ka pësuar ndryshime të mëdha dhe se shumë operatorë kanë shtuar infrastrukturën e tyre.
Prodhuesi gjerman thotë se dëshiron t’i përqendrojë burimet në aktivitetet ku mund t’u sjellë më shumë vlerë klientëve. Ky vendim merret teksa Mercedes-Benz po përballet me rënie të fitimeve dhe shitjeve të automjeteve dhe po zbaton masa për të ulur kostot.
Në vitin 2023, kompania kishte njoftuar synimin për të ngritur mbi 10.000 pika karikimi të shpejtë në mbarë botën deri në fund të kësaj dekade.
Marrëveshja shënon një ndryshim të qasjes së Mercedes-Benz në Evropë: në vend të zgjerimit të mëtejshëm të rrjetit të vet, kompania do të mbështetet më shumë te partneritetet me operatorë të specializuar.







