Mediat italiane, kanë zbardhur detaje të reja nga vrasja e shqiptarit 39-vjeçar, Bledar Dedja, prind i dy fëmijëve, i cili jetonte prej vitesh përtej Adriatikut.
39-vjeçari që jetonte në Asolo (Treviso), u gjet i masakruar me thikë mëngjesin e së dielës në pyjet e Paderno del Grappa.
Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një krim pasioni.
Sipas mediave italiane, ai me gjasë tentoi t’i ikte vrasësit nga takimi që përfundoi keq, duke u larguar gati 100 metra nga makina, që u gjet në vendin ku ndodhi krimi.
Po sipas dyshimeve të para, pista e grabitjes është përjashtuar nga hetuesit.
Mediat italiane, thonë se portofoli dhe të gjitha sendet personale të shqiptarit nuk janë prekur, e kjo ka bërë që hetuesit ta përjashtojnë grabitjen si pistë hetimi.
Karabinierët kanë marrë po ashtu në pyetje familjarët dhe miqtë e 39-vjeçarit.
Kryesore për ta është të zbulojnë se kë do të takonte pasditen e së shtunës, pasi kjo është ende mister.
Goditja fatale ishte në mushkëri, ndërsa të shumta janë plagët që mori në duar në tentativë për t’u mbrojtur.
Zona ku ndodhi vrasja nuk është e pajisur me kamera sigurie.
E vetmja shpresë është që makina Mercedes e viktimës të jetë kapur në një prej kamerave private të instaluara nga shtëpitë private në zonë.