Vdekja është mbjellë kudo! Babai qan gruan dhe katër fëmijët e vrarë! Nuk ka asnjë vend të sigurt në Gaza, thotë OKB

Izraeli ka përsëritur urdhrin për palestinezët që të largohen nga veriu i Gazas, por kjo ka sjellë reagimin e OKB-së. Lynn Hastings – koordinatorja humanitare e OKB-së për palestinezët, tha se në fakt nuk ka asnjë vend të sigurt në Gaza, as në veri as në jug.

“Për njerëzit që nuk mund të evakuohen – sepse nuk kanë ku të shkojnë ose nuk janë në gjendje të lëvizin – paralajmërimet paraprake nuk përbëjnë asnjë diferencë,” thotë ajo.

“Kur rrugët e evakuimit bombardohen, kur njerëzit në veri dhe në jug kanë ngecur mes bombardimeve, kur mungojnë gjërat thelbësore për mbijetesë dhe kur nuk ka garanci për kthim, njerëzit nuk kanë asgjë tjetër veçse të bëjnë zgjedhje të pamundura.

Askund nuk është i sigurt në Gaza.

Ajo shton se konflikti i armatosur duhet të ndjekë rregullat dhe ligjet që parashikohen në raste të tilla.

“Kjo do të thotë që civilët duhet të mbrohen dhe të kenë gjërat thelbësore për të mbijetuar, kudo që të jenë dhe nëse vendosin të lëvizin apo të qëndrojnë.

“Kjo gjithashtu do të thotë se pengjet – të gjithë pengjet – duhet të lirohen, menjëherë dhe pa kushte.”

Sipas BBC, në kampin e refugjatëve Jabalia, në veri të Gazës, një sulm ajror izraelit vrau një nënë dhe katër fëmijët e saj. I ulur në spital, babai i fëmijëve mban trupin e djalit të tij.

“Ai ishte vetëm dy muaj e gjysmë, çfarë ka bërë keq? thotë burri për Reuters.

“A vrau ai? A plagosi dikë? A rrëmbeu dikë? Ata ishin fëmijë të pafajshëm brenda shtëpisë së tyre.”

Ushtria izraelite, për dy javët e fundit, ka këshilluar njerëzit në veri të shkojnë në jug.

“Edhe nëse më godasin me tanke, nuk do të dal nga shtëpia”, thotë burri. “Unë do të vendos një tendë mbi shtëpinë time [të shkatërruar] dhe do të jetoj brenda saj.” /albeu.com


Shtuar 26.10.2023 13:09