Ky “shtet” do të zhduket nga harta nga janari 2024

Republika e vetëshpallur e Artsakh në Nagorno-Karabak njoftoi sot vetëshpërbërjen e saj si dhe shpërbërjen e të gjitha institucioneve nga 1 janari 2024, një javë pas sulmit të suksesshëm nga Azerbajxhani, që vulon një konflikt 30 vjeçar në Kaukaz.

Në një dekret të liderit të kësaj enklave, Samvel Sahramanyan, shpallet shpërbërja e “të gjitha institucioneve dhe organizatave qeveritare (…) më 1 janar 2024” dhe thuhet se, si rezultat, “Republika e Nagorno -Karabakh (Artsakh) pushon së ekzistuari”.

Separatistët armenë në Nagorno-Karabakh javën e kaluar pësuan një disfatë ushtarake brenda 24 orëve që i detyroi ata të kapitullonin ndaj Azerbajxhanit, vendit nga i cili u shkëputën kur BRSS u shemb më shumë se tre dekada më parë, raporton AlbEu.com.

Armenia, e cila e mbështeti këtë territor për dekada, këtë herë nuk ndërhyri ushtarakisht, duke i hapur rrugën riintegrimit të këtij rajoni në shtetin e Azerbajxhanit.

Popullsia armene e Nagorno-Karabakh ka filluar një eksod pas këtij vendimi ku rreth 65,000 njerëz, gjysma e afërsisht 120,000 banorëve të enklavës, janë larguar brenda disa ditësh nga frika se do të jenë në shënjestër të Azerbajxhanit, pavarësisht premtimeve të Bakusë për të respektuar të drejtat e tyre.

Në dekretin për shpërbërjen e republikës së vetëshpallur, lideri separatist thekson se, pasi të dihen kushtet e kthimit të rajonit nën kontrollin e Azerbajxhanit, banorët dhe refugjatët do të mund të “marrin një vendim individual për të qëndruar ose për t’u kthyer në Nagorno Karabakh”. /albeu.com


Shtuar 28.09.2023 11:21