Një burrë, i cili ishte i punësuar në shërbimin publik në Gjermani, u arrestua me akuzën e përcjelljes së informacionit të klasifikuar në Rusi. Në përputhje me ligjet gjermane të privatësisë, është raportuar se emri i tij është Thomas H.
Ai ka punuar në Zyrën e Pajisjeve të Ushtrisë dhe Teknologjisë së Informacionit dhe mësohet se me iniciativën e tij ai ka shkuar në ambasadën ruse në Berlin, si dhe në konsullatën e atij vendi në Bon, ku ka ofruar shërbimet e tij.
Ditën e mërkurë ai u ndalua dhe u soll para gjykatës, ndaj pritet nisja e gjykimit.
“Prokuroria federale ka arrestuar një zyrtar gjerman me dyshimin se punonte për një shërbim sekret të huaj”, tha Marko Buschmann, ministri gjerman i drejtësisë, në platformën sociale X.
Ky njeri dyshohet se ka mbledhur informacione në punë me qëllim që t’ia transmetojë atë shërbimit të inteligjencës ruse, tha zyra e prokurorit federal në Gjermani.
Ai u arrestua në qytetin Koblenz në Gjermaninë perëndimore dhe shtëpia dhe vendi i tij i punës u kontrolluan nga hetuesit, shtuan ata.
Kjo vjen pasi Agjencia Gjermane e Sigurisë (BfV) paralajmëroi në qershor për rreziqet e një “operacioni agresiv spiunazhi rus” në mes të shtytjes së Moskës për të ndjekur një pushtim të plotë të Ukrainës.
Ky nuk është rasti i parë i tillë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Një shtetas gjerman u arrestua në janar me akuzën për tradhti, pasi dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti njerëzish që i kalonin inteligjencë Rusisë.
Një tjetër burrë i quajtur Artur E. u arrestua në dhjetor për spiunim të dyshuar për Moskën dhe ishte i lidhur me një punonjës të shërbimit të inteligjencës së jashtme gjermane.