Shkëlzen Berisha reagon pas akuzave për kullën: Rama të revokojë lejen ose “ta hajë me nder”!

Djali i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha ka reaguar pas akuzave në rrjetet sociale dhe mediat online se në fakt, përfituesi final i kullës gjigante që po ndërtohet në mes të Tiranës duke shkatërruar parkun e fundit në atë zonë, është ai.

Berisha ka sfiduar Ramën duke kërkuar prej tij që të revokojë lejen e kullës dhe jo të sponsorizojë lajme kundër tji në mediat që ai i quajti të financuara nga inceneratorët.

“Sigurisht që ai nuk do bëjë asgjë, pasi në thelb gjithë zhurma e shpifjes nuk ka për qëllim prishjen e pazareve të Ramës, por largimin e vëmendjes nga skandali i inceneratorëve për të cilin ai dhe Veliaj në ndryshim nga skandali i Kullës, rrezikojnë burgun! Sidoqoftë sfida mbetet e hapur … revoko lejen ose haje me “nder”, shkruan Shkëlzen Berisha në Facebook.

Në fakt, kulla po ndërtohet kompania Nova Construction e Ilir Shtufit, por mediat kanë akuzuar Berishët për shkak se në lojë është edhe Gimi i Redbullit, një oligark i fuqishëm në Tiranë si edhe lidhje të nëndheshme mes tyre. Sëfundmi, i njëjti grup ka marrë një hapësirë të madhe ndërtimi edhe në Korçë.

Postimi i Shkëlzen Berishës

“Revokoje lejen, ose haje me “nder”!

Dje dhe sot media të sponsorizuara me tendera dhe para inceneratorësh si dhe të njohura gjerësisht në opinion si tualete mediatike që shpërndajnë me porosi nënproduktet Rama-Veliaj më kanë vënë në qendër të “sulmeve” sepse bash padronët e tyre (Rama & Veliaj) gjoja me paskan bërë dhuratë një kullë 125 m të lartë në qendër të Tiranës!

Në lojë kanë futur dhe “jaranin” e Ballës të cilin e ngrijnë dhe e shkrijnë sa herë u duhet për të filluar beteja imagjinare!

Në fakt ana më qesharake e strategjisë nuk është shpifja ndaj personit tim, por sulmi që në vend të Ramës që ka firmosur e dhënë lejen bëhet ndaj meje, si gjoja “përfituesi” i saj!

Mjafton të shikosh kush e shet gjellën për të kuptuar kush e ka gatuar!

Gjatë gjithë këtyre viteve e vetmja gjë që Shkëlzen Berisha ka “përfituar” nga Rama-Veliaj dhe zagarët e tyre politikë e mediatikë janë shpifjet dhe kallëzimet e rreme!

Sidoqoftë për t’i dhënë një përgjigje kujtdo që ka ngelur ne grepin e shpifjes së radhës po i bej një sfidë publike Edi Ramës që të revokojë lejen e ndërtimit, ose të pranojë në heshtje se pas saj njëlloj si për qindra leje të tjera janë pazaret që ai firmos paf paf paf e fap fap fap bash si për vjedhjen e inceneratorëve!

Sigurisht që ai nuk do bëjë asgjë, pasi në thelb gjithë zhurma e shpifjes nuk ka për qëllim prishjen e pazareve të Ramës, por largimin e vëmendjes nga skandali i inceneratorëve për të cilin ai dhe Veliaj në ndryshim nga skandali i Kullës, rrezikojnë burgun! Sidoqoftë sfida mbetet e hapur … revoko lejen ose haje me “nder”!”, shkruan Shkëlzen Berisha në rrjetet sociale.

 


Shtuar 7.08.2023 11:01