Droga kultivohej në Spanjë dhe shpërndahej në Evropë, shkatërrohet banda e shqiptarëve, 9 të arrestuar

Garda Civile në Alicante të Spanjës ka arrestuar 9 persona të cilët ishin pjesë e një bande të dedikuar për kultivimin e marijuanës dhe dërgimin e saj në vendet evropaine.

Organi kompetent gjyqësor ka urdhëruar dënimin me burg për 8 prej anëtarëve të kësaj organizate.

Hetimet nisën në dhjetor, kur Garda mori informacion për praninë e një organizate kriminale me origjinë shqiptare të dedikuar për kultivimin e marijuanës në ambiente të mbyllura në provincën e Alicante.

Menjëherë, Garda Civile nisi operacionin. Pas vëzhgimeve të kujdesshme, agjentët kanë arritur të identifikojnë anëtarët e grupit kriminal dhe të zbardhin rolet dhe funksionet e tyre.

Në krye të bandës ishte xhaxhi dhe nipi i tij, të dy me origjinë shqiptare, për të cilët ishte lëshuar një urdhër arresti dhe ekstradimi evropian nga autoritetet gjyqësore italiane.

Nën komandën e tyre ishin 5 shqiptarë të tjerë të cilët ishin përgjegjës për mbikëqyrjen dhe kujdesin e plantacioneve, duke garantuar gjithashtu sigurinë kundër grabitjeve të mundshme nga bandat e tjera. Dy persona të tjerë ishin në krye të detyrave logjistike.

Gjatë katër kontrolleve që u kryen në Alicante, Altea dhe Castalla, organizata kriminale u çmontua. U arrestuan nëntë burra me kombësi shqiptare, greke dhe italiane, të moshës nga 21 deri në 58 vjeç . Gjithashtu, janë sekuestruar 2 armë zjarri, 1592 bimë marihuanë, 1005 euro para të gatshme, material për kultivim dhe 2 automjete.

Për të siguruar rritjen e bimëve të marijuanës, anëtarët e bandës kishin bërë lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike në banesa.

Në momentin e arrestimit, njëri prej drejtuesve tentoi të ikte nga një ballkon, por u ndalua nga agjentët në tarracën e një shtëpie aty pranë.

Ata akuzohen për trafik dhe kultivim droge, armëmbajtje pa leje, mashtrim me energjinë elektrike, pastrim parash dhe përkatësi në një organizatë kriminale./Albeu.com


Shtuar 3.08.2023 14:12