Wagner i afrohet Moskës, BBC nxjerr pamjet. Raportime për largimin e Putinit nga Kremlini, oligarkët i hipin avionëve

Mercenarët e Wagner janë duke iu afruar Moskës nga ora në orë në tentativën e tyre për të “ndëshkuar lidershipin ushtarak për tradhtinë që u bëri në fushën e betejës”.

Në fakt, kjo ishte një betejë mes liderit të Wagner Yevgeny Prigozhin dhe drejtuesve të lartë të ushtrisë ruse, megjithatë në orët e fundit duket se është kthyer edhe kundër Putinit, për të cilin Wagner tha se ka ardhur koha që vendi të ketë një President të ri, raporton AlbEu.com.

Avioni i qeverise ruse duke u larguar nga Moska. Nuk dihet ende nese Putini eshte brenda
Avioni i qeverise ruse duke u larguar nga Moska. Nuk dihet ende nese Putini eshte brenda

BBC raporton se ekipi i tyre ka evidentuar një autokolonë të Wagner në autostradën që lidh Voronjezhin me Moskën, pikërisht në rajonin e Lipetskut.

Duket se forcat Wagner janë vetëm 4-5 orë larg Moskës, ndërkohë që ka raportime se Putini është larguar nga kryeqytetin për në një bazë më të sigurt. Vetë zyrtarët e Moskës thanë se në fakt Putini po qëndron në kryeqytet dhe nuk ka ndërmend të largohet.

Sa i përket përparimit të Wagner, guvernatori i rajonit të Lipetsk u ka kërkuar banorëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin udhëtimet, qoftë me automjete publike apo me transport publik.

Autoritetet rajonale në Lipetsk kanë thënë se të gjitha shërbimet e autobusëve në rajon janë anuluar deri në një njoftim tjetër.

Voronezh është një nga dy qytetet – tjetri është Rostov-on-Don, më në jug – të cilin mercenarët e Wagner thuhet se e kanë nën kontroll teksa përparojnë drejt Moskës.

Ngjarjat në Rusi janë shumë të vrullshme. AlbEu do të ndjekë hap pas hapi këto zhvillime, të cilat duket se kanë tërhequr edhe vëmendjen nga lufta në Ukrainë, edhe pse lidhen drejtpërdrejt me të.

Çfarë po ndodh në Rusi?

Prej muajsh shefi i Wagner Prigozhin ka akuzuar drejtuesit e ushtrisë ruse për tradhti pasi nuk furnizonin forcat e tij me municione dhe armë. Gjithçka doli në publik pas Wagner morën Bakhmutin dhe pastaj u detyruan të tërhiqeshin duke ia dorëzuar atë forcave ruse.

Në këto momente pati disa bombardime të ushtrisë ruse ndaj tyre për të cilat Prigozhin akuzoi ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Përgjthshëm të ushtrisë ruse.

Pas kësaj ata u detyruan të tërhiqeshin në prapavijë, por mbrëmë pati një sulm tjetër ndaj bazave të tyre duke bërë që Prigozhin të urdhëronte avancimin drejt Moskës.

A ka gjasa të fitojë Wagner ndaj Putinit?

Nuk dihet ende se çfarë po ndodh realisht në Rusi dhe cilat forca të ushtrisë ruse mbështesin Wagner dhe cilat Putinin. Fakt është se Prigozhin po avancon i pashqetësuar drejt Moskës dhe nuk ka kryesisht rezistencë përveç disa bombardimeve sporadike nga aviacioni rus. Thembra e Akilit për Wagner është pikërisht qielli ku nëse nuk kanë forcë ajrore, gjasat për të patur sukses janë të pakta.

Më shumë se sa forca e Wagner, ajo që do të vendosë fundin e kësaj që po ndodh është pozicionimi që do të ketë pjesa tjetër e ushtrisë ruse.

Një pjesë e mirë e saj ësht e angazhuar në Ukrainë, prandaj ekspertët vlerësojnë se ka pak ushtri mes Voronjezhit ku janë Wagner dhe Moskës ku po kërkojnë të shkojnë.

Ndërkohë ka raportime se oligarkët rus po largohen nga Moska ose në drejtim të Stambollit ose në drejtim të Shën Petersburgut. /albeu.com


Shtuar 24.06.2023 14:50