Maqedonci: Kosova synon anëtarësimin në NATO si prioritet strategjik

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, zhvilloi një takim me komandantin e sapoemëruar të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajorin Roberto Vergori, të cilit i përcolli urimet për detyrën e re.

Të lidhura

None found

Sipas njoftimit të ministrit, biseda u përqendrua te situata aktuale në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe te domosdoshmëria e bashkërendimit dhe komunikimit të vazhdueshëm mes institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it.

Gjatë takimit u nënvizua edhe rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit me misionin e NATO-s në Kosovë, veçanërisht për kontributin e tij në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.

Maqedonci deklaroi se integrimi i Republikës së Kosovës në NATO vazhdon të jetë një objektiv kyç dhe prioritet strategjik për të ardhmen e shtetit.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit të ngushtë me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë në funksion të ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit”, thuhet në njoftimin e Maqedoncit në Facebook.


Shtuar më 19.10.2026 13:18