Për 12 vite shpërndau pa leje materiale intime të ish-partneres, 55-vjeçari italian dënohet me dy vite burg

Gjykata ka dënuar me dy vite burg një 55-vjeçar nga zona e Torinos, pasi për 12 vjet publikoi në rrjetet sociale foto dhe video intime të ish-partneres së tij, pa dijeninë apo pëlqimin e saj. Dënimi është pezulluar me kusht.

Të lidhura

None found

Sipas mediave italiane, ai hapte grupe në “Facebook” dhe “Telegram”, duke përdorur emra të rremë dhe pseudonime për të shpërndarë materialet intime. Në këto hapësira, gruaja ekspozohej ndaj komenteve fyese dhe abuzimeve virtuale nga dhjetëra burra, mes të cilëve kishte edhe persona që banonin në të njëjtën zonë me çiftin.

E vërteta u zbulua krejt rastësisht, kur gruaja kontrolloi telefonin e partnerit, pasi dyshonte se ai po e tradhtonte. Aty gjeti dhjetëra foto dhe video intime të saj. Disa prej tyre ia kishte dërguar privatisht me kërkesën e tij, ndërsa për disa të tjera nuk e dinte se ishin regjistruar.

Pas zbulimit të materialeve, ajo shkoi te karabinierët e shoqëruar nga një mike dhe bëri kallëzim ndaj ish-partnerit.

Prokuroria e Ivreas nisi hetimet ndaj 55-vjeçarit për shpërndarje të paligjshme të imazheve intime, e njohur si “revenge porn”, si edhe për keqtrajtim. Autoritetet kanë identifikuar rreth 60 përdorues të grupeve ku shpërndaheshin materialet.

I akuzuari pranoi një dënim prej dy vitesh përmes procedurës së marrëveshjes mbi dënimin, “patteggiamento”. Atij iu njohën rrethana lehtësuese dhe pezullimi i dënimit u lidh me detyrimin për të ndjekur një program rehabilitimi për burra me sjellje abuzive. Për më tepër, ai i pagoi ish-partneres 5 mijë euro dëmshpërblim.

Megjithëse çështja ka përfunduar me vendim, gruaja vazhdon të përballet me pasoja të rënda psikologjike dhe sociale. Ajo po shqyrton mundësinë të largohet nga vendbanimi, pasi ka frikë se mund të njihet nga njerëzit që kanë parë materialet intime.

“Dëmet që ka pësuar deri më sot janë të pallogaritshme dhe të rënda. Do të nevojitet një proces civil për të përcaktuar gjithçka që klientja ime ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë”, deklaroi avokatja e saj, sipas mediave italiane.

Gruaja po merr gjithashtu ndihmë nga psikologë, të cilët po e mbështesin që të kuptojë se nuk ka përgjegjësi për abuzimin e përjetuar.

“Mendoja se ai donte t’i mbante ato skedarë në telefonin e tij, se ishte thjesht një lojë. Isha plotësisht e manipuluar”, mësohet të ketë thënë ajo.

Ngjarja ka tronditur komunitetin e vogël ku jetonte çifti. Sipas raportimeve, shumë persona ishin në dijeni të shpërndarjes së materialeve intime, ndërsa gruaja nuk kishte fare dijeni për atë që kishte ndodhur për vite me radhë.


Shtuar më 19.10.2026 08:45