Prishtina Weather tregon se është regjistruar temperatura më e lartë për muajin prill në Europë, në Spanjë, ku termometri tregoi 38.7C.
27.04.2023 – Temperatura rekorde për muajin prill u regjistrua sot në Spanjë. Sipas Agjensionit Meteorologjik të Spanjës (AEMET) në aeroportin e Cordobës temperatura sot arriti deri në 38.7C, një temperaturë kjo tipike për fillim të muajit korrik. Kjo temperaturë edhe është më e larta e regjistruar ndonjëherë në kontinentin europian përgjatë muajit prill. Së paku në 11 stacione në Spanjë temperaturat ishin të larta mbi 37C. Edhe në Sevilë me 37.1C, për të dytën ditë rradhazi u kalua temperatura e mëhershme rekorde regjistruar më 30 prill të vitit 1997, prej 35.4C.
Temperatura më e lartë e mëhershme për muajin prill në Spanjë ishte regjistruar në vitin 2011 prej 37.4C. Temperatura rekorde mbi 36C janë regjistruar edhe në Portugali, por që mbeten të publikohen zyrtarisht nga shërbimi meteorologjik i këtij shteti.