Eurodeputetët bëjnë thirrje që Rusia të shpallet një regjim “terrorist”

Një asamble përfaqësuesish nga 46 parlamente kombëtare anembanë Europës votuan me shumicë dërrmuese në favor të një rezolutë që u bën thirrje vendeve europiane të “deklarojnë regjimin aktual rus si terrorist”.

Gjithsej 99 nga 100 anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (PACE)  votuan në mbështetje të  rezolutës.

Vetëm një deputet turk nga Partia Popullore Republikane abstenoi.

“Përdorimi i vazhdueshëm i armëve me rreze të gjatë veprimi nga ushtria ruse për të goditur qytetet në të gjithë Ukrainën ka shkaktuar shkatërrim dhe viktima masive”, thuhet në rezolutë.

“Me këto sulme pa dallim, Rusia synon të avancojë politikën e saj terroriste për të shtypur vullnetin e ukrainasve për të rezistuar dhe mbrojtur vendin e tyre, duke shënjëstruar civilët.”

Rezoluta i bëri thirrje Rusisë që “të tërheqë plotësisht dhe pa kushte forcat e saj pushtuese”.

PACE është një organ parlamentar  i Këshillit të Europës, një organizatë ndërkombëtare e ndarë nga Bashkimi Europian.

Ajo përfshin vende si Turqia, Ukraina dhe Mbretëria e Bashkuar. PACE përbëhet nga parlamentarë kombëtarë nga vendet anëtare të saj.


Shtuar 14.10.2022 09:42