Vetëm disa muaj nga përmendja e idesë për krijimin e një bashkësie politike evropiane është thirrur takimi i liderëve të vendeve që supozohet se do të jenë pjesë e kësaj bashkësie.
Idenë e ka shpalosur së pari presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në muajin maj, e pas tij edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Dallimi është se Michel ka menduar ta emërojë organizatën e re si “Bashkësi Gjeopolitike Evropiane”, ndërsa Macron “Bashkësi Politike Evropiane”. Qëllimi, megjithatë, është i njëjtë: të krijohet një format, ku do të bashkëvepronin të gjitha vendet e kontinentit “që duan të ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta”, jo vetëm ato që janë anëtare të Bashkimit Evropian. Ndonjë afat se kur do të mund të formohet, nuk ka.
Këshilli Evropian ka konfirmuar se tashmë janë dërguar ftesat për pjesëmarrësit në samitin e Pragës, që do të zhvillohet më 6 tetor.
Ata do të përfshijnë udhëheqësit e 27 vendeve evropiane që nuk janë anëtare të BE-së, të 27 vendeve të BE-së, si dhe presidenten e Komisionit Evropian dhe presidentin e Këshillit Evropian. Janë ftuar, pra, të gjitha shtetet që ekzistojnë në Evropë, me përjashtim të Federatës Ruse dhe Bjellorusisë.
Ftesat janë dërguar bashkërisht nga kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, vendi i të cilit aktualisht ka kryesimin e BE-së, dhe nga Charles Michel, president i Këshillit Evropian.
Është caktuar, po ashtu, agjenda e takimit, e cila nuk përfshin ndonjë diskutim për strukturat eventuale të kësaj “bashkësie”, por tema aktuale si: paqja dhe siguria, energjia dhe ndryshimet klimatike, situata ekonomike, si dhe migracioni dhe mobiliteti.
Të gjitha këto shihen si tema urgjente dhe janë në interes të përbashkët të të gjithë pjesëmarrësve.
Burimet diplomatike në BE pranojnë se në prag të dërgimit të ftesave, ka pasur shumë dilema, meqë ideja është që në bashkësinë politike evropiane të jenë “të gjitha vendet që ndajnë të njëjtat vlera të demokracisë dhe lirive themelore”. Por, ky formulim, sipas disa diplomatëve të BE-së, ka ngjallur dyshimin se a mund të ftohen edhe shtetet që kanë probleme me respektimin e vlerave të demokracisë dhe me lirinë e mediave, apo edhe ato që nuk i mbështesin sanksionet e BE-së kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Megjithatë, në fund është vendosur që të ftohen të gjitha këto vende – në mesin e tyre edhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Turqia, Armenia e Azerbajxhani.
“Pa marrë parasysh se çfarë mendojmë për nivelin e demokracisë në këto vende, nuk është e mundur që pa to të adresohen shqetësimet urgjente që i kemi, si: siguria e furnizimit me energji, sfidat e përballjes me emigrimin ilegal dhe paqja e siguria në kontinentin tonë dhe fqinjësinë evropiane”, thotë një diplomat i BE-së.
Dilema më e madhe që është shfaqur rreth kësaj ideje, është nëse krijimi i një bashkësie politike evropiane do të ndikojë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe do të shërbejë si një lloj zëvendësimi – së paku për një periudhë kalimtare – për anëtarësimin formal të disa vendeve në BE.
Këto shqetësime, në disa raste, janë vlerësuar si të pabaza, edhe në nivele të ndryshme të BE-së, por edhe nga nismëtarët e kësaj ideje.
Një zyrtar i BE-së, duke shpalosur për gazetarët qëllimet e bashkësisë politike evropiane, për të cilën tashmë përdoret shkurtesa EPC, ka thënë se “EPC-ja nuk i zëvendëson organizatat ekzistuese, strukturat apo proceset dhe nuk e ka për qëllim që në këtë moment të krijojë struktura apo procese të reja”.
Sipas të njëjtit burim, qëllim kryesor i bashkësisë politike evropiane është të ofrojë platformë “për koordinim politik për të gjitha vendet e kontinentit”, përmes së cilës, po ashtu, “do të forcohej dialogu dhe bashkëpunimi në adresimin e sfidave dhe interesave të përbashkëta”.
Ideja është që liderët, në nivel krejtësisht të barabartë, të takohen një apo dy herë në vit.
Por, përkundër pohimeve të përsëritura se “kjo nismë nuk ka për qëllim të jetë alternativë e procesit të zgjerimit”, ka diplomatë që mendojnë se krijimi i kësaj bashkësie mund të ndikojë, së paku, në ngadalësimin e procesit të zgjerimit – proces që edhe ashtu është i ngadalshëm.
Një prej arsyeve për dyshim lidhet me faktin se kjo ide është përmendur për herë të parë nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vendi i të cilit, krahas Holandës, ka qenë për një kohë të gjatë në krye të shteteve të BE-së, që janë shprehur skeptike për procesin e zgjerimit dhe kanë ndikuar që ky proces të ngadalësohet.
Por, në një ‘non-paper’ që ka ndarë me shtetet tjera anëtare të BE-së, Franca ka sqaruar se “politika e zgjerimit – për shkak të kërkesave për reforma të domosdoshme që duhen plotësuar për t’u anëtarësuar në BE dhe kohëzgjatjes së këtij procesi – nuk ofron sot kornizë të nevojshme politike për t’u përgjigjur ndaj nevojave historike dhe gjeopolitike që dalin nga lufta në Ukrainë, si dhe për strukturimin politik të kontinentit tonë evropian”.
“Për këtë arsye, ne propozojmë që këtë vit të krijohet bashkësia politike evropiane mes të gjitha vendeve evropiane që dëshirojnë të kontribuojnë së bashku për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit tonë”, thuhej në këtë dokument.
Po sipas tij, “bashkësia politike evropiane do të jetë e hapur për shtetet evropiane që ndajnë vlerat demokratike, pa marrë parasysh nëse janë ose jo anëtare të Bashkimit Evropian dhe pa marrë parasysh natyrën e raporteve të tyre me Bashkimin Evropian”.
Me këtë dokument, Franca ka bërë përpjekje t’i heshtë zërat që kanë tërhequr vërejtjen se kjo ide mund të ketë për qëllim ta dëmtojë procesin e zgjerimit, duke krijuar alternativë.
“Bashkësia politike evropiane nuk do të jetë alternativë e anëtarësimit në BE dhe nuk do të jetë zëvendësim për procesin e zgjerimit. Për shtetet evropiane që duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, për më tepër, do të jetë mundësi për forcimin e lidhjeve me vendet e BE-së përpara se të bëhen anëtare, si në aspektin politik, ashtu edhe në pjesëmarrjen e tyre në disa politika të BE-së”, thuhej në këtë dokument.
Burimet diplomatike në Bruksel thonë se sjellja e Francës në raport me zgjerimin e BE-së ka ndryshuar dhe se ky shtet është më “miqësor” ndaj zgjerimit.
“Franca ka qenë shumë e angazhuar për heqjen e pengesave për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Besoni se pa angazhimin e Francës, kjo vështirë se do të ndodhte. Franca, krahas Gjermanisë, po angazhohet edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe, tani, Franca nuk është kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Po ashtu ka mbështetur edhe dhënien e shpejtë të statusit të vendit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë”, thotë një burim i BE-së, duke shtuar se “skepticizmi i Francës ndaj procesit të zgjerimit i takon ndoshta së kaluarës”.
Në selinë e BE-së në Bruksel thonë, madje, se ky forum do të shërbejë për forcimin e raporteve mes vendeve kandidate që duan të jenë në BE dhe vendeve të BE-së. Në këtë mënyrë, ato do të mund të përparojnë edhe në arritjen e qëllimeve të tyre për anëtarësim formal në BE.
“Këtu mendojmë pikësëpari në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ato duan të bëhen anëtare të BE-së dhe në BE tash ekziston vullneti që të mbështeten në këtë rrugëtim”, thotë një burim diplomatik, duke rikujtuar se këtë e ka theksuar edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj vjetor për gjendjen e unionit.
Von der Leyen e ka përmendur Ballkanin derisa ka folur për nevojën që të rishqyrtohet politika e jashtme e BE-së.
“Tash është koha për të investuar në forcën e demokracisë. Kjo punë nis me grupin bazë të partnerëve që mendojnë si ne, me miqtë tanë në secilin komb demokratik në botë. Ne e shohim botën me të njëjtin sy. Dhe, ne duhet ta mobilizojmë fuqinë tonë kolektive. Mënyra më e shpejtë për të zgjeruar sundimin e demokracisë, është duke forcuar lidhjet me vendet demokratike në kontinentin evropian”, ka thënë von der Leyen.
Porosi të veçantë, ajo u ka dërguar vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë – të vetmet që kanë aspirata për t’u anëtarësuar në BE.
“Kjo nis me ato vende që tashmë janë në rrugën drejt unionit tonë. Ne duhet të jemi në anën e tyre, në secilin hap në këtë rrugë. Sepse, rruga drejt demokracisë së fuqishme dhe rruga drejt Bashkimit Evropian janë të njëjtat. Prandaj, dua që njerëzit në Ballkanin Perëndimor, në Ukrainë, në Moldavi dhe në Gjeorgji ta dinë: Ju jeni pjesë e familjes sonë, e ardhmja juaj është në union, dhe unioni ynë nuk është komplet pa ju”, ka thënë von der Leyen, duke shprehur edhe mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për krijimin e bashkësisë politike evropiane.
Një diplomat i BE-së ka thënë se kjo nismë, “në vend që të jetë alternativë e zgjerimit, mund të jetë mundësi për ta ndihmuar procesin e zgjerimit”.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, negociatat e anëtarësimit i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa nga muaji korrik i kanë hapur formalisht edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm Marrëveshje Stabilizim Asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.
Ndryshe nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e vetmja që nuk ka liberalizim vizash me vendet evropiane, apo me atë që njihet si zona Shengen./REL