Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi në mbledhjen e Komitetit të Energjisë se situata hidrike në vend paraqitet e qetë, kjo pas reshjeve të rëna gjatë ditëve të fundit.
Balluku tha gjithashtu se bordi ka vendosur që Fierza të mos prodhojnë energji për momentin, në mënyrë që të mblidhen të gjitha ujërat.
“Ka pasur një përmirësim ditët e fundit. Ka patur një rritje të liqenit të Fierzës, duke qenë se ne kemi vendosur të mos prodhohet në Fierzë për disa kohë për të grumbulluar të gjitha ujërat, me shpresë që do të kemi edhe në ditët në vazhdim një prurje të re të motit të lagët, shpresojmë të jemi në datën 7. Situata është e qetë e mirë menaxhuar”, tha Balluku.
Ajo gjithashtu u shpreh se nuk ka vend për panik, pasi ndërprerje energjie dhe rritje të çmimit nuk do të ketë.
“Nuk ka vend për panik. Nuk do të ketë as ndërprerje të energjisë elektrike dhe as rritje të çmimi të energjisë për abonentët familjarë dhe për biznesin e vogël. Në maj do të kemi një bisedë për të diskutuar çmimet për biznesin e lidhur me tensionin e mesëm”, tha Balluku!