Nga sot, për të hyrë në Republikën e Kosovës, secili qytetar duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit me dy doza të vaksinës anti-COVID, në të kundërtën, nuk do të mund të hyjë.
Qeveria e Kosovës më datë 1 dhjetor të vitit të kaluar ka miratuar masat anti-COVID, të cilat kanë hyrë në fuqi menjëherë, mirëpo, një pikë e këtij vendimi ishte lënë për datën 3 janar të vitit 2022.
Sipas këtij vendimi, nga sot, për të hyrë në Kosovë, secili person duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19.
Ndërkaq personat të cilët nuk i kanë dy dozat e vaksinës, do të kenë mundësi të vaksinohen në pikën kufitare aeroportin “Adem Jashari” dhe në pikat kufitare në Vermicë, Merdare, Dheu i Bardhë dhe Hani i Elezit.
Ndryshe, sipas masave anti-COVID që janë në fuqi, lëvizja e qytetarëve lejohet nga ora 05:00 e mëngjesit, deri në orën 00:00 të mesnatës.
Lokalet e gastronomisë lejohen të punojnë deri në orën 23:00, ndërkaq muzika duhet të ndalet në orën 21:30.
Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19, apo certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë, jo më e vjetër se katër (4) javë, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë, ose certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë)./GazetaExpress