Ratifikimi në Kuvend i marrëveshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për kontrollin kufitar hyrje-hyrje nuk ka përparuar. Procedura nuk është shqyrtuar ende nga Komisioni për politikë të jashtme, që drejtohet nga Musa Xhaferi.
Sipas VLEN-it, për shkak të kësaj vonese, propozimi nuk u përfshi në seancën plenare të parashikuar për sot. Nismën ligjore për ratifikimin e marrëveshjes e ka paraqitur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Të lidhura
None found
Deputetët e VLEN-it e cilësojnë marrëveshjen të rëndësishme për qarkullimin më të lehtë të qytetarëve dhe forcimin e lidhjeve rajonale, sidomos në drejtim të Kosovës dhe Shqipërisë. Ata e lidhin gjithashtu me realizimin e projekteve strategjike infrastrukturore, përfshirë Korridorin 8, rrugën Shkup–Bllacë dhe aksin Tetovë–Prizren.
Marrëveshja parasheh sistem të përbashkët kontrolli hyrje-hyrje në pesë vendkalime kufitare mes dy vendeve. Qytetarët që kalojnë kufirin do të ndalen vetëm një herë dhe do t’i nënshtrohen një kontrolli të vetëm.
Në mesin e pikave kufitare të përfshira është edhe Qafë Thana. Megjithëse aty zbatohet sistemi “One stop shop”, modeli i kontrollit hyrje-hyrje nuk është vënë ende plotësisht në funksion. Me marrëveshjen e re, edhe në këtë vendkalim parashikohet vetëm një kontroll për qytetarët.
Deputetët e VLEN-it thonë se ende nuk dihet se kur marrëveshja do të shqyrtohet nga komisioni parlamentar dhe kur mund të rikthehet në seancë plenare për ratifikim.








