Në sheshin Enghelab të Teheranit u vendos sot një poster me përmasa gjigante që kërcënon me vdekje presidentin amerikan Donald Trump, duke ashpërsuar retorikën e Iranit kundër Shteteve të Bashkuara. Imazhi e portretizon atë kokulur prapa hekurave dhe shoqërohet me fjalët: “Do ta vrasim Trumpin”.
Një poster tjetër i paraqet Trumpin, zëvendëspresidentin JD Vance, të dërguarin amerikan Steve Witkoff dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me veshje të shqyera e fytyra të mbuluara nga gjaku.
Të lidhura
None found

Sheshi mblodhi dhjetëra njerëz që tundnin flamuj të kuq dhe mbanin pankarta ku shkruhej “Do të ketë gjak”. Të pranishmit bënin thirrje për hakmarrje pas vrasjes së udhëheqësit suprem Ali Khamenei në sulmet amerikano-izraelite të 28 shkurtit.
Që kur nisi konflikti, rrugët e Teheranit kanë parë një shtim të mesazheve kundër Trumpit. Presidenti amerikan portretizohet në rrethana poshtëruese në postera e murale të ndryshme, ndërkohë që autoritetet e Iranit e fajësojnë për goditje ndaj objektivave civile.
Në Iran, përdorimi i posterave dhe muraleve politike në hapësirat publike daton që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Nëpërmjet tyre përcillen mesazhe politike kundër kundërshtarëve të regjimit, me theks të veçantë te Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.







