Deputetja e pavarur dhe ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, foli në emisionin “Prime News24” për përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas saj, mes dy figurave të së njëjtës forcë politike ka nisur një luftë në të cilën nuk duhet ndërhyrë për të shpëtuar asnjërën palë. Koçeku tha se të dy «flasin nga burgu», ndonëse njëri ndodhet brenda dhe tjetri jashtë tij. Ajo u shpreh se duhen lënë të vazhdojnë rrugën që kanë nisur, pasi nuk sheh shenja kthimi pas.
Të lidhura
None found
Koçeku i quajti të pritshme ndarjet brenda Partisë Socialiste. Ajo kujtoi se një skizmë ekzistonte në PS edhe në kohën kur u largua vetë dhe tha se zhvillimet e fundit mund të zgjasin e të sjellin, përmes një «butterfly effect», përçarje të tjera në parti.
Deputetja parashikoi se përfundimi mund të jetë dorëheqja e Edi Ramës, siç kërkojnë edhe protestuesit. Sipas saj, Rama nuk është politikan që do ta pranonte me dëshirë largimin nga posti, por situata mund të arrijë në një pikë ku nuk do t’i mbetet zgjidhje tjetër.
Gjatë intervistës, Koçeku iu kthye edhe largimit të saj nga grupi parlamentar i PS-së për të vijuar si deputete e pavarur. Ajo sqaroi se ndërprerja e marrëdhënieve me anëtarët e grupit ishte vendim personal. Koçeku shtoi se nuk ka besuar shumë te miqësia në politikë dhe se koha e shkurtër që kaloi në grup nuk i dha mundësi të krijonte lidhje të tilla.






