Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se raportet e reja të analizave të ADN-së kanë mundësuar identifikimin e tre personave të tjerë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në një postim, ai bëri të ditur se rezultatet e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e Adem (Fazli) Ademit, Fatmir (Bajram) Fazliut dhe Ali (Islam) Halitit, pjesëtarë të Grupit të Intelektualëve.
Të lidhura
None found
Kurti tha se të tre u rrëmbyen nga forcat e armatosura serbe në prill të vitit 1999 dhe më pas u zhdukën me dhunë.
Sipas kryeministrit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, së bashku me institucionet përkatëse, i ka njoftuar tashmë familjet e tre intelektualëve dhe veprimtarëve të çështjes kombëtare.
Ai u shprehu ngushëllime familjeve dhe nënvizoi se sqarimi i fatit të personave të zhdukur me dhunë vazhdon të jetë përparësi për Qeverinë e Kosovës.
Kurti theksoi gjithashtu se Kosova do të vijojë përpjekjet për drejtësi lidhur me krimet e kryera gjatë luftës. Ai akuzoi Serbinë se i mohon dhe i fsheh ato, si dhe se i mban të klasifikuara dokumentet dhe arkivat që lidhen me atë periudhë.






