Anëtarësimi në SEPA dhe reformat financiare, Kurti takohet me guvernatorin Ismaili

Procesi i anëtarësimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) ishte në qendër të bisedës mes kryeministrit Albin Kurti dhe guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili.

Bashkëbiseduesit trajtuan përmbylljen e aplikimit të Kosovës për SEPA dhe paraqitjen e tij zyrtare pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC), pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Të lidhura

None found

Pjesë e diskutimit ishte edhe ngritja e sistemit të pagesave të shpejta TIPS Clone. Së bashku me anëtarësimin në SEPA, ky sistem pritet të ulë kostot e transaksioneve dhe t’i bëjë pagesat më efikase.

Njoftimi për takimin bën të ditur se Ismaili e njohu Kurtin me stabilitetin e sektorit financiar të vendit dhe me qëndrueshmërinë financiare të Bankës Qendrore të Kosovës.

Në bisedë u trajtuan gjithashtu reformat në vijim për një mbikëqyrje financiare më të fortë, për modernizimin e infrastrukturës dhe për harmonizimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.

U vu në dukje edhe nevoja për koordinim mes institucioneve, me qëllim zbatimin e reformave dhe përmbushjen e angazhimeve që Kosova ka në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.

Në përmbyllje të takimit, Kurti dhe Ismaili u shprehën të gatshëm ta vijojnë bashkëpunimin për ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare, modernizimin e sektorit dhe çuarjen përpara të integrimit evropian, në respekt të pavarësisë dhe mandatit të Bankës Qendrore të Kosovës.


Shtuar më 3.11.2026 19:22