Pas 19 vitesh dhe mbi 20 ndryshimeve në ligjin në fuqi, autoritetet po përgatisin një ligj të ri për barnat, i cili synon përafrimin e plotë me legjislacionin evropian. Kështu bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, pas konsultimit kombëtar për këtë çështje.
Në konsultim morën pjesë përfaqësues të shoqatave të pacientëve, odave farmaceutike dhe industrisë farmaceutike, si dhe ekspertë e përfaqësues të institucioneve qeveritare.
Të lidhura
None found
Klekovski sqaroi se kuadri i ri do të zëvendësojë ligjin aktual, të miratuar më 2007. Barnat dhe pajisjet mjekësore do të trajtohen përmes ligjeve të ndara, ndërsa në një fazë të mëvonshme pritet të miratohet edhe një ligj i posaçëm për veprimtarinë farmaceutike.
“Për pacientin, një sistem i mirëorganizuar i barnave nënkupton marrjen në kohë të terapisë, besim te cilësia dhe siguria e saj, si dhe informacion të saktë për përdorimin”, tha ministri.
Ndër hapat e parashikuar janë shqyrtimi i të gjitha vërejtjeve të dorëzuara, krijimi i mekanizmave më të fortë për parandalimin e mungesave të barnave dhe lehtësimi i raportimit të reaksioneve të padëshiruara. Po ashtu, në bashkëpunim me Agjencinë për Barna dhe Pajisje Mjekësore (MALMED), do të përgatitet një plan për zbatimin e ligjit.
“Vlera e ligjit varet nga zbatimi i tij. Për këtë arsye, për çdo detyrim të ri duhet të përcaktohet se kush do ta zbatojë, me çfarë kuadrosh e mjetesh dhe brenda cilit afat”, u shpreh Klekovski.
Procesi po zhvillohet me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Maqedoni.








