Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njoftoi se raportet e reja të ADN-së kanë mundësuar identifikimin e Adem (Fazli) Ademit, Fatmir (Bajram) Fazliut dhe Ali (Islam) Halitit, të cilët ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve.
Për familjarët e Dr. Adem Ademit, lajmi është një zhvillim tejet domethënës, i ardhur pas 27 vitesh pritjeje.
Të lidhura
None found
“Sot morëm, pas 27 vitesh pritjeje plot shpresë, lajmin që familja jonë e kishte pritur. Institucionet tona na njoftuan se laboratori në Hagë ka dërguar rezultatet e analizave të ADN-së, nëpërmjet të cilave u identifikua babai dhe familjari ynë i dashur, Dr. Adem Ademi”.
“Pas gati tri dekadash pasigurie, kërkimi të së vërtetës dhe pritjeje, ky njoftim është një çast jashtëzakonisht i rëndësishëm për familjen tonë. Ai na afron me mbylljen e një pritjeje të gjatë dhe me mundësinë që babait t’i japim lamtumirën e nderimin e merituar”, deklaroi Erblin Ademi, i biri i tij.
Erblini shprehu mirënjohje të thellë “për institucionet e Republikës së Kosovës, çdo zyrtar, hetues e ekspert të mjekësisë ligjore, si dhe për të gjithë ata që ndër vite kanë kontribuar dhe, së fundmi, kanë punuar për zbardhjen e fatit të babait tonë”.
Në emër të familjes, ai tha se Dr. Adem Ademi do të përcillet dhe do të prehet në paqe me nderin e dinjitetin që i takojnë, për jetën e tij, përkushtimin si mjek e kirurg, jetët që shpëtoi dhe kontributin për njerëzit e shoqërinë.
Erblin Ademi bëri të ditur se familja do të njoftojë në ditët në vijim për datën dhe orën e varrimit, si dhe për hapjen e të pames.
Në përfundim, ai falënderoi “nga zemra të gjithë ata që na kanë qëndruar pranë dhe i kanë ofruar familjes sonë solidaritet e mbështetje në këto ditë të vështira dhe të rëndësishme”.






