Një hetim ndërkombëtar për mashtrime të dyshuara nëpërmjet platformave të investimit online ka përfunduar me arrestimin e shtatë personave dhe sekuestrimin e mbi 100 serverëve. Operacioni kundër rrjetit kriminal u shtri në disa vende, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Qipron, Finlandën dhe Izraelin, ndërsa u mbështet nga Eurojust dhe Europol.
Pikënisja e hetimit ishte kallëzimi që bëri në vitin 2022 një çift gjerman. Pasi kishte vendosur kursimet në një platformë online, çifti nuk kishte arritur të tërhiqte fitimet që pretendoheshin. Më shumë se katër vite hetime dhe bashkëpunimi i autoriteteve të disa shteteve çuan në aksionet e fundit, gjatë të cilave u kryen arrestime dhe u sekuestruan prova.
Të lidhura
None found
Për pjesën shqiptare, koordinimi i operacionit u krye nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet e huaja. Shqipëria u përfshi në dy ekipe të përbashkëta hetimore të ngritura pranë Eurojust: në njërin bashkë me Gjermaninë dhe Poloninë, ndërsa në tjetrin me Kosovën.
Hetuesit dyshojnë se një kompani e vendosur në Qipro dhe Izrael u siguronte grupeve kriminale shërbime të paligjshme, duke ndërtuar faqe interneti mashtruese për investime online. Në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut janë identifikuar klientë të dyshuar të kompanisë, të cilët dyshohet se drejtonin qendra telefonatash të përdorura për mashtrimin e qytetarëve.
Skema, sipas hetimeve, prekte qytetarë në vende të ndryshme të botës, të joshur me premtime për përfitime të mëdha brenda një periudhe të shkurtër nga investimet në kriptomonedha, valuta të huaja dhe aksione. Në fillim, platformat online u paraqisnin atyre fitime fiktive. Më tej, individë që prezantoheshin si ndërmjetës i vinin nën presion psikologjik për t’i shtyrë të shtonin vazhdimisht shumat e investuara.
Përpjekjet e viktimave për të tërhequr paratë ndesheshin me pengesa dhe justifikime të ndryshme, deri në momentin kur organizatorët e skemës zhdukeshin bashkë me fondet e investuara. Humbjet financiare që i atribuohen këtij aktiviteti kriminal përllogariten në mbi 4 milionë euro.
Në kuadër të aksionit u ushtruan kontrolle në 17 ambiente, mes të cilave edhe një qendër telefonatash në Kosovë. Krahas serverëve, autoritetet sekuestruan prova dhe pasuri të tjera. Shtatë të arrestuarit pritet të dorëzohen ose të ekstradohen drejt Gjermanisë, qëllim për të cilin u kryen arrestimet.








