Gjatë një interviste për News24, analisti i njohur Fatos Lubonja, ka komentuar deklaratat e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili pretendoi se është kërcënuar se rrezikonte më shumë burg nëse nuk pranonte sipas tij se ishte i përfshirë në protestat kundër qeverisë, si dhe pranonte të delegonte kompetencat e bashkisë tek Arbër Hajdari.
Lubonja e krahasoi situatën me praktikat e periudhës së diktaturës së Enver Hoxhës, duke iu referuar deklaratës së Veliajt se duhet të pranonte përfshirjen në protestat kundër kryeministrit.
Të lidhura
None found
Ai theksoi se shqetësimi kryesor lidhet me atë që e cilësoi si mendësi të kryeministrit Rama për të kontrolluar gjithçka, duke besuar se zotëron të njëjtin pushtet absolut që kishte Enver Hoxha.
“Ne që kemi jetuar periudhën e Enver Hoxhës dhe dënimet, pastrimet në parti, nuk mund të mos na e kujtojë në një formë që është pak e çuditshme. Gjen edhe ngjashmëri, edhe ndryshime. Ajo që mua më ngacmoi menjëherë, ndoshta nisur edhe nga përvoja e asaj kohe, ishte fakti se i kërkohej të pranonte akuzën që Lideri Suprem e bën edhe të njohur publikisht që kemi të bëjmë me një armik të partisë që ka kërkuar të destabilizojë rendin, dhe interesantja është që i kërkon ta pranojë ose përndryshe do të ketë pasojat.
Nga njëra anë e shikoj Ramën se mendon se ka gjithëpushtetshmërinë e Enver Hoxhës, dhe ka menduar se ky do ta pranojë këtë. Ky besoj e ka çuar Gogun se ka menduar që ai do të pranojë. Ndërkohë që i është dhënë një kundërpërgjigje e tillë që në kohën e Hoxhës nuk mund të ndodhte. Më shqetëson kjo mendësi e tij se mendon se kontrollon gjithçka, SPAK e të gjitha dhe kërcënon në këtë mënyrë. Dhe tregon se ai për çdo armik e kundërshtar mund të vërë në lëvizje mekanizma të tillë që janë ekstra ligjore. Unë nuk mendoj se jemi në një kohë kur drejtësia komandohej në mënyrë aq absolute sa në kohën e Enver Hoxhës. Tani drejtësia është më e kujdesshme dhe nëse ky njeriu e sheh që nuk i funksionon nëpërmjet drejtësisë kjo gjithëpushtetshmëria mund të vërë në lëvizje elementë ku vihet në përdorim krimi. Për të ruajtur pushtetin diktatori, mund të verë në lëvizje aktorë të tjerë. Pra kalimi i çdo ligji dhe vendosja e kriminelëve në aksion”, tha Lubonja.
Referuar takimit të ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu me Veliajn, ai tha:
“Si mik nuk ka shkuar atje. Për të vëzhguar gjendjen e tij nuk është e besueshme. Veliaj, në ato kushte ku është, të sajonte një gjë të tillë, është e vështirë të shkosh deri këtu. Ka disa elementë që të çojnë për të besuar se kjo ka ndodhur”, tha Lubnja.
Sipas tij, kryeministri është në paranojë dhe mund të mendojë se Veliaj përbën një rrezik për të.
“Ai edhe pse nuk është i rrezikshëm, në paranojën e Edi Ramës mund ta konsiderojë të rrezikshëm dhe merr këto masa kaq të forta. Domethënë gati gati e beson edhe vetë që ka qenë ky që i ka shtyrë këta që dolën në protestë”, shtoi Lubonja.







