Bukayo Saka është kthyer në një prej objektivave të rëndësishëm të Real Madridit, teksa klubi po analizon mundësinë e një përforcimi të madh për repartin ofensiv. Presidenti Florentino Perez e sheh yllin e Arsenalit si një emër që mund të fuqizojë sulmin madrilen.
Sipas mediumit gjerman Fussball News, transferimi i reprezentuesit anglez mund të kërkojë një shpenzim prej së paku 150 milionë eurosh. Skautët e Real Madridit kanë hartuar tashmë raporte të hollësishme për paraqitjet, përshtatjen taktike dhe gjendjen fizike të 25-vjeçarit, ndërsa janë hedhur edhe bazat për kontaktet fillestare me përfaqësuesit e tij.
Të lidhura
None found
Interesi për Sakan vjen në një kohë kur e ardhmja e Rodrygo Goes dhe Brahim Diaz në Santiago Bernabeu është e pasigurt. Të dy futbollistët mund të largohen gjatë afateve të ardhshme kalimtare.
Edhe pse skuadra e Jose Mourinhos po kalon një periudhë të mirë, e theksuar nga fitorja ndaj Barcelonës në El Clasico, drejtuesit besojnë se sulmi ka nevojë për një tjetër lojtar të nivelit botëror.
Shpejtësia, kreativiteti dhe aftësia për të krijuar mundësi e për të shënuar e bëjnë Sakan një profil të përshtatshëm për madrilenët. Ai ka qenë ndër futbollistët më të rëndësishëm të Arsenalit gjatë viteve të fundit.
Sezonin e kaluar në Ligën Premier, anglezi shënoi shtatë gola dhe dha pesë asistime. Në Ligën e Kampionëve realizoi edhe tri herë. Këtë sezon, 25-vjeçari ka shënuar tri gola në shtatë ndeshje kampionale, para se të pësonte një dëmtim muskulor në duelin me Bayern Munichun.
Megjithatë, arritja e marrëveshjes pritet të jetë shumë e vështirë, pasi Arsenali nuk dëshiron të ndahet lehtë nga një prej lojtarëve kyç të projektit të tij.
Klubi londinez e ka lidhur Sakan me kontratë deri në qershor të vitit 2030. Ai përfiton mbi 300 mijë funte në javë, që përkthehen në rreth 18.6 milionë euro në vit.
Raportimet bëjnë të ditur se Arsenali do të merrte në konsideratë vetëm oferta nga 150 deri në 160 milionë euro. Një marrëveshje në këto shifra do të renditej ndër operacionet më të mëdha financiare të Real Madridit në vitet e fundit.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Florentino Perez do të ndërmarrë hapa konkretë për Sakan, i cili mund të jetë ndër emrat më të përfolur në afatin e ardhshëm kalimtar.





