Vendimi i Gjykatës Themelore në Pejë për paraburgimin e Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, përmban detaje të reja. Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Sylaj, i dyshuar për veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, është shprehur kundër kërkesës së Prokurorisë për paraburgim. Ai ka thënë se djali i tij 12-vjeçar ka nevojë për përkujdesjen e tij.
Të lidhura
None found
“Kam fëmijën 12-vjeçar që tani nuk e di ku është, ka nevojë për kujdesin tim”, ka deklaruar Sylaj në seancën dëgjimore.
Ai gjithashtu ka shprehur keqardhje për atë që ndodhi dhe ka pretenduar se ishte munduar ta parandalonte ngjarjen tragjike.
“Ndjej keqardhje për këtë çka ka ndodhur, jam munduar ta parandaloj”, citohet të ketë thënë ai.
Prokuroria thotë se Arlinda kishte raportuar kërcënime para vrasjes
Sipas aktvendimit, prokurori i shtetit Argzon Hasi ka kërkuar që Sylajt t’i caktohet masa e paraburgimit, duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore.
Prokurori ka njoftuar se, gjatë intervistimit nga Njësiti për Hetimin e Dhunës në Familje, Arlinda Zekaj kishte deklaruar se ish-bashkëshorti e kishte kërcënuar.
Sipas deklaratës së viktimës, Sylaj dyshohet t’i ketë thënë: “Unë të thej, të mbys, çka lyp”.







