Ministria e Transformimit Digjital (MTD) ka vënë zyrtarisht në funksion aplikacionin m.Uslugi, përmes të cilit qytetarët mund të përdorin në celular shërbimet publike digjitale dhe dokumentet elektronike.
Aplikacioni u prezantua në një aktivitet të zhvilluar në “Filarmoninë Maqedonase”, ku morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, përfaqësues të institucioneve dhe Bashkimit Evropian, trupi diplomatik, përfaqësues nga bota akademike e biznesi, si dhe media. Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, shpjegoi funksionet e platformës dhe demonstroi disa prej tyre drejtpërdrejt, njoftoi MTD.
Të lidhura
None found
Andonovski tha se synimi i transformimit digjital nuk ka qenë krijimi i aplikacioneve, portaleve apo regjistrave të tjerë, por lehtësimi i qasjes së qytetarëve në shërbimet shtetërore. Ai vuri në dukje se për shumë njerëz, kontakti me administratën ka nënkuptuar sportele, orare pune dhe dorëzimin e dokumenteve ose të dhënave që institucionet i disponojnë tashmë. Sipas tij, m.Uslugi synon ta ndryshojë këtë mënyrë funksionimi.
Ministri tregoi se ideja për aplikacionin lindi në vitin 2024, pas pjesëmarrjes së tij në Samitin “Diia” në Cyrih dhe njohjes me modelin ukrainas “Diia”. Projekti u zhvillua më tej në kuadër të nismës evropiane “GovTech4All”, përmes programit Evropa Digjitale.
MTD bën të ditur se m.Uslugi është krijuar si një pikë e vetme hyrëse nga celulari në shtetin digjital. Aty përfshihen identiteti digjital, dokumentet elektronike, shërbimet publike dhe njoftimet, ndërsa në fazat e ardhshme parashikohet edhe integrimi i pagesave.
Aplikacioni mund të përdoret pa pagesë dhe instalimi e përdorimi i tij janë vullnetare. Përmes tij, qytetarët do të mund të përdorin edhe shërbimet e para elektronike nga telefoni.
Andonovski nënvizoi se synimi nuk është thjesht kalimi i procedurave administrative nga sporteli në celular, por thjeshtimi i tyre i ndjeshëm./Telegrafi/





