Mark Samson, 24 vjeç, është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen në Itali të Ilaria Sulës, ish-partneres së tij 22-vjeçare shqiptare.
Gjykata e Krimeve mori vendimin pas afro tri orësh diskutimesh. Seanca u zhvillua në sallën e sigurisë së lartë të burgut Rebibbia.
Të lidhura
None found
Samson u gjet fajtor për vrasje me dashje, me rrethanat rënduese të paramendimit, motiveve të dobëta dhe marrëdhënies sentimentale me viktimën. Ai akuzohet edhe për fshehjen e trupit.
I përfaqësuar nga avokatët Paolo Foti dhe Alessandro Pillito, Samson nuk ishte në sallë kur u lexua vendimi.
Pas shpalljes së dënimit, prindërit e së resë, Flamur dhe Gëzime Sula, folën për dhimbjen e humbjes dhe theksuan se vendimi nuk mund ta zhbëjë tragjedinë.
“Drejtësia u vu në vend, por asnjë vendim gjykate nuk do të na e kthejë vajzën tonë”, thanë ata për mediat.
Në proces, familja Sula u përfaqësua nga avokati Giuseppe Sforza.
Dënimi i përjetshëm shënon një etapë të rëndësishme në çështjen gjyqësore për vrasjen e 22-vjeçares, ngjarje që tronditi opinionin publik në Itali dhe Shqipëri.







