Një reformë e Bashkimit Europian synon t’i japë Frontex-it rol më të gjerë në kthimin e migrantëve të parregullt, duke përfshirë mundësinë për të ndihmuar në deportimin e tyre nga një vend jashtë BE-së drejt një tjetri.
Komisioni Europian pritet të paraqesë paketën e re të martën, raportoi Euronews. Sipas ndryshimeve të propozuara, agjencia do të mund të bashkëpunojë me autoritetet e vendeve joanëtare, mes tyre edhe shtetet e Afrikës së Veriut, për t’i kthyer migrantët në vendet nga vijnë.
Të lidhura
None found
Frontex-i mund të përfshihet edhe në dëbimet nga qendrat e kthimit që vendet e BE-së synojnë të hapin në shtete të treta. Pesë qeveri europiane janë në bisedime për ngritjen e qendrës së parë të këtij lloji, e cila pritet të nisë punën më 2027.
Nisma ka ngjallur shqetësim mes organizatave të të drejtave të njeriut. Ato kërkojnë mekanizma më të fortë mbikëqyrjeje dhe llogaridhënieje, në mënyrë që të sigurohet respektimi i të drejtave të migrantëve. Bashkëpunimi me shtetet jashtë BE-së do të kërkojë marrëveshje të posaçme.
Aktualisht, Frontex-i ka marrëveshje të këtij lloji me Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa Bashkimi Europian po zhvillon negociata për një marrëveshje me Senegalin. Reforma përfshin gjithashtu ngritjen e një force reagimi të shpejtë për rastet e mbërritjeve masive të klandestinëve dhe krijimin e një njësie që do të monitorojë rrjetet sociale.
Në buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar, agjencia pritet të marrë 12 miliardë euro, dy herë më shumë se financimi i mëparshëm. Fondet synojnë forcimin e kontrollit kufitar dhe zbatimin e politikave për kthimin e migrantëve.





