Sali Berisha kritikoi paketën e re fiskale, duke akuzuar Edi Ramën se me shtimin e taksave po u shpall luftë bizneseve. Në një videomesazh në rrjetet sociale, ai tha se Partia Demokratike do ta shfuqizojë paketën.
Sipas Berishës, ndryshimet e paralajmëruara parashikojnë që taksa mbi dividendin të rritet nga 8% në 15%, tatimfitimi nga 15% në 17%, ndërsa kufiri i xhiros për TVSH-në të ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë. Ai paralajmëroi se kjo do të rëndojë edhe mbi çmimet për qytetarët.
Të lidhura
None found
Berisha u zotua se, nëse PD vjen në pushtet, do të vendosë taksën e sheshtë 10%, do ta çojë pragun e TVSH-së në 15 milionë lekë dhe do ta ulë TVSH-në për ushqimet dhe mallrat bazë në 6%.
Videomesazhi i plotë:
Të dashur qytetarë dhe qytetare,
Mbrëmë, pa u konsultuar me asnjë faktor apo grup interesi, padrinoja i vendit dhe Petrit Balluku në financa njoftuan, në një veprim tinëzar e zuzar, se do t’u rrisin taksat bizneseve shqiptare me qindra milionë euro.
Plani i bërë publik përfshin dyfishimin e taksës mbi dividendin, nga 8% në 15%, rritjen e tatimfitimit nga 15% në 17% dhe uljen e kufirit të xhiros për TVSH-në nga 10 milionë në 5 milionë lekë. Në thelb, këto masa do të çojnë drejt falimentimit qindra e mijëra biznese dhe do të shkatërrojnë qindra mijëra vende pune.
Kjo masë vjen në një kohë kur, për shkak të narkoshtetit të Edi Ramës, euroja dhe dollari kanë pësuar zhvlerësimin më të madh në botë, përkatësisht 35%. Si rezultat, eksportet e vendit janë zhvlerësuar po aq, prodhimi industrial është tkurrur me 15.3%, ndërsa eksportet kanë rënë me 28%.
Rritja e taksave do të shtojë falimentimet dhe do t’i çojë çmimet edhe më lart për shqiptarët. Kur këto para përfundojnë në xhepat dhe llogaritë bankare të një organizate kriminale, kjo është një vepër monstruoze.
U premtoj qytetarëve shqiptarë se Partia Demokratike do ta anulojë këtë paketë. Ne do të vendosim taksën e sheshtë 10%, do ta rrisim pragun e pagesës së TVSH-së në 15 milionë lekë dhe do ta ulim në 6% TVSH-në për ushqimet dhe mallrat bazë.






