Qeveria shqiptare propozon ndryshimin e mënyrës së taksimit të pagave nga 1 janari 2027, duke ulur tatimin për një pjesë të punonjësve me paga të mesme dhe të larta, ndërsa vendos një normë të re prej 32% për ata që marrin mbi 700 mijë lekë bruto në muaj.
Ndryshimet janë pjesë e paketës së re fiskale dhe parashikohen në projektligjin për tatimin mbi të ardhurat, të konsultuar nga Skyweb.al.
Të lidhura
None found
Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, nga ndryshimi i fashave tatimore pritet të përfitojnë rreth 25,704 punonjës, ndërsa 1,293 të tjerë do të preken nga vendosja e normës së re prej 32%.
Por çfarë ndryshon konkretisht dhe sa para do t’u mbeten punonjësve në fund të muajit?
Si tatohen pagat aktualisht?
Sipas sistemit aktual, tatimi mbi pagën llogaritet në mënyrë progresive. Kjo do të thotë se jo e gjithë paga tatohet me të njëjtën përqindje, por norma ndryshon sipas nivelit të të ardhurave.
Për pagat deri në 50 mijë lekë bruto në muaj, tatimi mbi të ardhurat është zero.
Për pagat më të larta zbatohen zbritjet personale dhe norma prej 13%, ndërsa për pjesën e pagës bruto që kalon 200 mijë lekë në muaj zbatohet norma 23%.
Për shembull, një punonjës që merr 300 mijë lekë bruto në muaj paguan aktualisht 45,100 lekë tatim mbi pagën, pa përfshirë kontributet shoqërore dhe shëndetësore.
Çfarë ndryshon nga 1 janari 2027?
Me propozimin e ri, qeveria synon ta zhvendosë nga 200 mijë në 300 mijë lekë pragun mbi të cilin fillon të zbatohet tatimi 23%.
Kështu, pjesa e pagës deri në 300 mijë lekë bruto në muaj do të vazhdojë të tatohet me normën 13%, pasi të jetë aplikuar zbritja personale përkatëse.
Për pjesën e pagës nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë do të zbatohet norma 23%, ndërsa mbi 700 mijë lekë vendoset një normë e tretë prej 32%.
Është e rëndësishme të sqarohet se norma 32% nuk zbatohet mbi të gjithë pagën e punonjësit, por vetëm mbi pjesën që tejkalon 700 mijë lekë bruto në muaj.
Kush përfiton nga ndryshimi?
Përfituesit kryesorë janë punonjësit që marrin mbi 200 mijë lekë bruto në muaj.
Për shembull, një punonjës me pagë 250 mijë lekë bruto paguan aktualisht 33,600 lekë tatim mbi të ardhurat. Me skemën e re, kjo shumë do të ulej në 28,600 lekë, duke i lënë 5 mijë lekë më shumë në muaj.
Për një punonjës me pagë 300 mijë lekë bruto, tatimi do të ulej nga 45,100 në 35,100 lekë. Kjo do të thotë 10 mijë lekë më shumë në muaj, ose 120 mijë lekë në vit.
I njëjti lehtësim prej 10 mijë lekësh në muaj do të zbatohej edhe për pagat nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë bruto, nëse niveli i pagës mbetet i pandryshuar.
Sipas Ministrisë së Financave, nga rritja e pragut të tatimit 23% pritet të përfitojnë drejtpërdrejt 25,704 punonjës.
Efekti financiar i kësaj mase llogaritet në rreth 1.98 miliardë lekë më pak të ardhura për buxhetin e shtetit në vit.
Çfarë ndodh me pagat mbi 700 mijë lekë?
Ndryshimi tjetër i rëndësishëm është vendosja e normës 32% për pjesën e pagës që tejkalon 700 mijë lekë bruto në muaj.
Aktualisht, kjo pjesë e të ardhurave tatohet me 23%.
Sipas Ministrisë së Financave, në këtë kategori përfshihen rreth 1,293 punonjës, ndërsa masa pritet të sjellë afërsisht 970 milionë lekë të ardhura shtesë në buxhet çdo vit.
Megjithatë, vendosja e normës 32% nuk do të thotë se të gjithë punonjësit me paga mbi 700 mijë lekë do të paguajnë automatikisht më shumë tatim sesa sot.
Kjo për shkak se ata përfitojnë njëkohësisht nga ulja e tatimit për pjesën e pagës ndërmjet 200 mijë dhe 300 mijë lekëve.
Për shembull, një punonjës që merr 800 mijë lekë bruto në muaj paguan aktualisht 160,100 lekë tatim mbi pagën, ndërsa me skemën e re do të paguante 159,100 lekë, pra 1,000 lekë më pak.
Vetëm kur paga bruto kalon afërsisht 811 mijë lekë në muaj, efekti i normës 32% fillon të tejkalojë përfitimin nga lehtësimi i fashës së mëparshme.
Kështu, një punonjës me pagë 1 milion lekë bruto në muaj do të paguante 223,100 lekë tatim, nga 206,100 lekë aktualisht, ose 17 mijë lekë më shumë çdo muaj.
Çfarë ndodh me pagat deri në 200 mijë lekë?
Për punonjësit me paga bruto deri në 200 mijë lekë në muaj, projekti nuk parashikon ndryshime në normat dhe mënyrën e llogaritjes së tatimit.
Kjo do të thotë se një punonjës që merr 80 mijë, 100 mijë apo 150 mijë lekë bruto në muaj do të vazhdojë të paguajë të njëjtin tatim mbi pagën si aktualisht, nëse nuk ndryshojnë të ardhurat dhe kushtet e tjera tatimore.
Pra, ndryshe nga punonjësit me paga më të larta, kjo kategori nuk përfiton ulje të drejtpërdrejtë të tatimit nga ndryshimet e propozuara.
Sa do të ndikojë reforma në buxhetin e shtetit?
Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, lehtësimi i tatimit për 25,704 punonjës pritet t’i kushtojë buxhetit rreth 1.98 miliardë lekë në vit.
Nga ana tjetër, vendosja e normës 32% për pagat mbi 700 mijë lekë bruto parashikohet të sjellë rreth 970 milionë lekë të ardhura shtesë.







