Noah Wyle shpallet mashkulli më seksi në botë nga revista People

Noah Wyle, aktori i serialit “The Pitt”, është zgjedhur “Mashkulli më seksi në botë” për këtë vit nga revista amerikane “People”. Kështu, ai i shtohet grupit të yjeve të Hollywood-it që e kanë fituar këtë titull ndër vite.

Wyle, 55 vjeç, luan doktor Michael “Robby” Robinavitch në dramën mjekësore të “HBO Max”. Ai tha se lajmi e zuri në befasi dhe se, në fillim, nuk e mori seriozisht.

Të lidhura

None found

“M’u duk si shaka. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë, as në një milion vjet, që ky nder do të më jepej mua”, tha aktori në bisedën me revistën “People”.

Me shaka, Wyle u shpreh se shpresonte që çmimi t’ia kthente jetën përmbys, por parashikoi se të afërmit dhe miqtë do ta ngacmojnë për të. Ai pranoi gjithashtu se vëmendja publike nuk ia ka zhdukur pasiguritë: ende e ka të vështirë të dalë para të tjerëve si vetvetja, pa u mbështetur te një personazh.

Bashkëshortja e tij, Sara Wells, e ndihmoi ta pranonte vlerësimin, tregoi aktori. Ata janë të martuar që prej vitit 2014. Sipas Wyle, ajo u kënaq që çmimi përputhej me shijen e saj dhe mendon se tiparet e tij, si bashkëshort dhe baba, meritojnë të vlerësohen.

Wyle dhe Wells kanë një vajzë, Frances, e lindur në vitin 2015. Nga martesa e parë me Tracy, aktori ka edhe dy fëmijë: djalin Owen, të lindur në vitin 2002, dhe vajzën Auden, të lindur në vitin 2005.

Fëmijët e pritën ndryshe lajmin. Djali i tha se titulli mund t’ia vështirësonte jetën, por edhe e përgëzoi. Vajza e madhe u habit, ndërsa Wyle beson se ajo do ta ngacmojë për këtë për 50 vitet e ardhshme.

Aktori foli edhe për George Clooney, kolegun e tij në serialin “ER”, i cili është shpallur dy herë “Mashkulli më seksi në botë”, në vitet 1997 dhe 2006. Wyle shpreson që Clooney ta marrë me humor lajmin dhe të ndihet krenar për të, teksa ai hyn në një etapë të re të jetës me flokë të thinjura.

Megjithëse tashmë është fitues i një prej titujve më të përfolur të “People”, Wyle tha se kjo nuk i ka larguar dyshimet që ka për veten.

“Shpresoja që sot të ishte dita kur do të thoja: ‘Shikoje veten, je mashkulli më seksi në botë. Tani mund të ndihesh rehat me veten’. Por ende nuk ka ndodhur”, u shpreh ai.

Publiku e njeh gjerësisht për interpretimin e doktor John Carter në serialin e famshëm mjekësor “ER”. Wyle u largua nga produksioni në maj të vitit 2005, në përfundim të sezonit të 11-të, pas lindjes së djalit të tij.

Duke folur për atë periudhë, aktori e përshkroi atësinë si ngjarjen që e ndryshoi më shumë. Kur mori të birin në krahë, kuptoi se jeta e tij nuk përqendrohej më vetëm te vetja, por edhe te fëmija. Kjo ishte ndër arsyet vendimtare që ndikuan në largimin nga seriali.

Revista “People” e jep titullin “Mashkulli më seksi në botë” që prej vitit 1985, kur fituesi i parë ishte Mel Gibson. Mes personazheve të njohur që janë vlerësuar ndër vite renditen John Krasinski, Paul Rudd, Johnny Depp, Sean Connery dhe Denzel Washington.

Brad Pitt e ka marrë titullin dy herë, në vitet 1995 dhe 2000. Për Wyle, vlerësimi vjen pas suksesit të “The Pitt” dhe shënon një moment të ri në karrierën e tij të gjatë në televizion dhe Hollywood.


Shtuar më 27.10.2026 16:39