Në një videomesazh drejtuar pjesëmarrësve të takimit ndërkombëtar “Paqe e paarmatosur dhe çarmatosëse”, që u zhvillua në Asizi të Italisë, Papa Leone XIV bëri thirrje për dialog dhe paqe. Ai tha se bota duhet të punojë për ta rindërtuar paqen, në vend që të përgatitet për konflikte të reja, dhe kundërshtoi çdo përdorim të fesë për të justifikuar luftën.
“Paqja duhet të rindërtohet kudo; nuk duhet të përgatitim luftëra të tjera. Zoti nuk mund të përdoret kurrë si arsye për të luftuar. Për besimtarët, luftimi në emër të fesë është, në të vërtetë, sulm ndaj vetë fesë. Luftë të shenjtë nuk ka; e shenjtë është vetëm paqja”, deklaroi Papa.
Të lidhura
None found
Ai vuri në dukje se, në një kohë kur kultura e forcës dhe e pushtetit po merr përparësi, duhet të gjallërohet “shpirti i Asizit”. Ky qëndrim, sipas tij, nënkupton mospranimin e legjitimimit fetar të luftës, si dhe mbështetjen e ndërmjetësimit dhe dialogut.
Papa Leone XIV e përshkroi “shpirtin e Asizit” si një përvojë soditjeje dhe një angazhim krijues për të ndërtuar një të ardhme paqësore.
“Paqja duhet të rikthehet si ideal i përbashkët i popujve, yll udhërrëfyes për vendimet tona, matës që nxjerr në pah padrejtësinë dhe horizont që bashkon të gjitha kombet”, theksoi ai.
Duke përkujtuar 40-vjetorin e takimit historik të vitit 1986 në Asizi, të organizuar nga Papa Gjon Pali II, Ati i Shenjtë rikujtoi se lutja është hapi i parë drejt paqes.
Ai pranoi se, përballë fuqive të botës, lutja mund të duket e pafuqishme, por shtoi se ajo mbetet forca e përulur e besimtarëve.
“Ne i lutemi Zotit, burimit të paqes, që të prekë zemrat e atyre që dëshirojnë luftën dhe terrorizmin. Të mos harrojmë se lutja jonë nuk është kurrë e kotë”, përfundoi Papa.
Mesazhi i tij ishte një thirrje për përgjegjësi të përbashkët, dialog mes popujve dhe besimeve fetare, si dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj ndërtimit të paqes së qëndrueshme.



