Një operacion i përbashkët i autoriteteve spanjolle dhe marokene ka çuar në shkatërrimin e një prej rrjeteve kryesore të trafikimit të kanabisit në Spanjë. Në përfundim të aksionit u arrestuan 86 persona dhe u sekuestruan afro 11 tonë hashash.
Juan Carlos T.B., i njohur si “Moreno” dhe i dyshuar si kreu i organizatës, u kap në Tangier të Marokut. Ai pritet të ekstradohet drejt Spanjës, ku autoritetet kanë nisur procedurat përkatëse.
Të lidhura
None found
Arrestimi i tij u krye më 8 tetor, pas zbatimit të një urdhër-arresti ndërkombëtar dhe një hetimi policor disa mujor. Sipas të dhënave të hetuesve, “Moreno” ishte shpallur në kërkim që prej marsit të vitit 2026, kur u largua nga banesa e tij në një zonë luksoze të Madridit për t’i shpëtuar kapjes.
Autoritetet dyshojnë se ai drejtonte të gjithë veprimtarinë e rrjetit, duke mbikëqyrur kontaktet me furnizuesit në Marok, transportin detar dhe tokësor të drogës, si dhe sigurimin e automjeteve e pronave që shërbenin për magazinimin e lëndëve narkotike.
Sipas hetimeve, organizata sillte ngarkesa të mëdha hashashi nga Maroku përmes Ngushticës së Gjibraltarit, ndërsa bregdeti spanjoll përdorej si pikë hyrëse. Më pas, droga transportohej drejt Madridit, ku qëndronte përkohësisht përpara shpërndarjes në qytete të ndryshme të Spanjës dhe në shtete të tjera evropiane.
Hetimi nisi në fillim të vitit 2025, pasi policia zbuloi se drejtuesit e grupit përdornin aplikacione të enkriptuara për të organizuar lëvizjen dhe shpërndarjen e drogës.
Për fshehjen e ngarkesave, anëtarët e rrjetit dyshohet se shfrytëzonin banesa me qira, apartamente luksoze dhe prona të ndodhura në komplekse rezidenciale. Hashashi ndahej në këto ambiente në paketime më të vogla, të cilat më pas u dorëzoheshin shpërndarësve.
Operacioni çoi në zbulimin dhe çmontimin e shtatë pikave të magazinimit dhe shpërndarjes në Madrid, Guadalajara dhe Valencia.
Një nga sekuestrimet më të mëdha u krye në një objekt industrial në Silla të Valencias, ku u gjetën 4,6 tonë hashash. Hetuesit vlerësojnë se ngarkesa ishte bërë gati për t’u dërguar në Madrid.
Gjatë dhjetorit të vitit 2025, policia kishte sekuestruar më shumë se 2,1 tonë hashash në një banesë në zonën Las Tablas të Madridit. Ndërkohë, në qershor të vitit 2026, në dy operacione të tjera u gjetën mbi 960 kilogramë hashash dhe 12 kilogramë kanabis në një banesë në periferi të kryeqytetit, si dhe një ton hashash në një pronë në zonën Sanchinarro.
Pjesë e hetimit ishte edhe dyshimi për pastrim të parave të siguruara nga trafiku i drogës.
Policia thotë se grupi përdorte kompani fiktive, dokumente faturimi të falsifikuara, paga të rreme dhe kredi të marra përmes personave të tretë. Këto metoda synonin që paratë me origjinë të paligjshme të shfaqeshin si të ardhura të ligjshme.
Një pjesë e fitimeve dyshohet se kanalizohej në blerjen e automjeteve luksoze dhe pasurive të paluajtshme. Sipas hetuesve, drejtuesi i dyshuar deklarohej si i punësuar në një kompani të arteve grafike dhe merrte mbi 5 mijë euro neto në muaj, edhe pse nuk kryente asnjë detyrë reale.
Si pjesë e operacionit u kontrolluan 33 prona: 23 në Madrid, shtatë në Guadalajara, dy në Malaga dhe një në Valencia.
Autoritetet sekuestruan 10.800 kilogramë hashash, mbi 21,8 kilogramë kanabis, dy armë me tytë të gjatë dhe katër armë të ndaluara.
Gjithashtu, u konfiskuan 25 automjete, 15 orë luksoze dhe afro 466 mijë euro në para të gatshme.
Nga 86 personat e arrestuar, 65 u kapën në Madrid, 10 në Guadalajara, pesë në Valencia, tre në Malaga dhe nga një në Burgos, Almeria e Girona. Të dhënat zyrtare bëjnë me dije se 18 prej tyre u dërguan në burg.
Të arrestuarit dyshohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafik droge dhe pastrim parash.
Autoritetet gjyqësore spanjolle po vijojnë procedurat për çështjen, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar të gjithë strukturën e rrjetit dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë. Kreu i dyshuar ndodhet në paraburgim në Marok, ndërsa procesi për ekstradimin e tij në Spanjë është ende në zhvillim.







