Në Kanada nis gjyqi historik i 15 të rinjve kundër qeverisë për krizën klimatike

Pesëmbëdhjetë qytetarë të rinj kanadezë, të moshës 17 deri në 25 vjeç, kanë paditur qeverinë federale, duke pretenduar se ajo nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme për të përballuar ndryshimet klimatike.

Procesi gjyqësor ka nisur në një gjykatë federale në Vankuver dhe shihet si një çështje me rëndësi për përcaktimin e përgjegjësisë së shtetit kanadez në mbrojtjen e klimës.

Të lidhura

None found

Paditësit thonë se politikat e qeverisë për klimën janë të pamjaftueshme dhe shkelin të drejtat e tyre kushtetuese për jetën, lirinë dhe sigurinë. Sipas tyre, kjo i lë të ekspozuar ndaj ndikimeve gjithnjë e më të rënda të ngrohjes globale.

“Dua që më në fund të jem në gjendje të flas në gjykatë dhe të më dëgjohet zëri”, tha për AFP-në Sadie Vipont, 19 vjeçe, nga Calgary. “E ardhmja dhe të drejtat tona ia vlejnë të luftohen”, shtoi ajo.

Çështja, e njohur me emrin La Rose, do të shqyrtohet gjatë pesë javëve të seancave, pas një procesi ligjor që ka zgjatur shtatë vjet. Të rinjtë i kërkojnë gjykatës të urdhërojë qeverinë të përshpejtojë planin për uljen e emetimeve të gazrave serrë dhe të realizojë objektivat klimatike të shpallura prej saj.

Kanadaja synon të ulë emetimet me 40% deri në 45% deri në vitin 2030, në raport me nivelet e vitit 2005. Megjithatë, qeveria ka pranuar së fundmi se ky objektiv nuk do të arrihet.

Përfaqësuesit ligjorë të paditësve pritet të paraqesin gjatë gjyqit dëshmi të shkencëtarëve, mjekëve pediatër dhe inxhinierëve. Ata do të argumentojnë se ndryshimet klimatike kanë ndikuar në jetën e të rinjve, duke prekur edhe shëndetin e tyre fizik e mendor.

Zjarret në pyje, përmbytjet dhe temperaturat e skajshme janë ndër pasojat që, sipas paditësve, kanë ndikuar drejtpërdrejt në përditshmërinë e tyre.

Lauren Wright, e cila vjen nga provinca e Saskatchewanit, solli si shembull zjarret e vitit 2015, kur tymi mbuloi sipërfaqe të mëdha të rajonit.

“Më kujtohet në vitin 2015, kur pjesa veriore e Saskatchewanit ishte në flakë. Ajri ishte mbytës, nuk mund të merrnim frymë”, u shpreh ajo.

Avokatja Catherine Boyce Parker e cilësoi si të paprecedentë në Kanada shqyrtimin e përputhshmërisë së politikave klimatike të qeverisë federale me Kushtetutën.

Sipas saj, edhe pse ndryshimet klimatike zakonisht konsiderohen çështje politike, gjykatat kanë të drejtë të ndërhyjnë kur veprimet ose mosveprimet e autoriteteve cenojnë të drejtat e qytetarëve.

Kjo padi është pjesë e një tendence ndërkombëtare, ku qytetarë dhe organizata po përdorin gjykatat për të kërkuar politika më të fuqishme kundër ndryshimeve klimatike.

Në Gjermani, nëntë aktivistë fituan një çështje të rëndësishme në vitin 2021. Gjykata Kushtetuese Federale vendosi se objektivat klimatike duhej të forcoheshin, duke marrë në konsideratë të drejtat themelore të brezave të rinj.

Vendime të rëndësishme për çështje klimatike janë dhënë gjithashtu në Holandë dhe Korenë e Jugut.

Maria Antonia Tigre, nga Qendra Sabin për Ligjin e Ndryshimeve Klimatike në Universitetin e Kolumbias, vlerëson se vendimi gjerman dhe mendimi këshillimor i vitit 2025 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për detyrimet e shteteve në mbrojtjen e klimës mund të përdoren si referenca në rastin kanadez.

Procesi po zhvillohet në një periudhë kur politika mjedisore e Kanadasë po pëson ndryshime. Kryeministri Mark Carney, i cili mori detyrën në mars të vitit 2025, ka shfuqizuar disa masa të miratuara nga paraardhësi i tij, Justin Trudeau, mes tyre taksën e karbonit për individët dhe kufizimet e emetimeve në industrinë e naftës.

Ndërkohë, qeveria po mbështet projekte të mëdha, veçanërisht në sektorin energjetik, për të reduktuar varësinë ekonomike të Kanadasë nga Shtetet e Bashkuara, në një klimë tensionesh tregtare mes dy vendeve.

Paditësit synojnë që gjykata t’i detyrojë autoritetet të ndërmarrin hapa më të prekshëm për përmbushjen e angazhimeve klimatike dhe për mbrojtjen e brezave të ardhshëm.

Seancat pritet të mbyllen në fund të shkurtit 2027. Vendimi mund të ndikojë në mënyrën se si do të trajtohen më tej paditë që lidhin krizën klimatike me të drejtat kushtetuese të qytetarëve.


Shtuar më 26.10.2026 19:37