Kate Scott është zgjedhur për të drejtuar ceremoninë e 70-të të “Topit të Artë”, e cila po zhvillohet më 26 tetor 2026 në London Palladium. Gazetarja britanike do ta ndajë prezantimin e kësaj mbrëmjeje prestigjioze me ish-futbollistin francez Thierry Henry.
Çmimi i organizuar çdo vit nga “France Football” konsiderohet ndër vlerësimet individuale më të rëndësishme dhe më të kërkuara në botën e futbollit. Për këtë arsye, përzgjedhja e moderatorëve luan një rol të veçantë në një ceremoni që mbledh emrat më të mëdhenj të sportit.
Të lidhura
None found
Edhe pse është 45 vjeçe, Kate Scott ka pas vetes një përvojë të gjatë në gazetarinë sportive dhe në drejtimin e eventeve të mëdha. Këtë herë, ajo do të jetë në skenë së bashku me mikun e saj, Thierry Henry, me të cilin ka krijuar një raport të afërt profesional.
“E di çfarë e argëton Thierry-n dhe e di kur mund të dëshirojë të ndërhyjë për të bërë një shaka apo diçka tjetër. Prandaj, mendoj se miqësia jonë është jashtëzakonisht e dobishme për punën tonë”, është shprehur ajo për revistën “GQ”.
E lindur si Kate Giles dhe e njohur më parë me emrin Kate Abdo, gazetarja ka ndërtuar një karrierë ndërkombëtare në mediat sportive. Pas martesës së saj të fundit me ish-boksierin Malik Scott, ajo përdor mbiemrin Scott.
Kate është me origjinë nga Manchesteri dhe nisi rrugën profesionale pas përfundimit të studimeve në gjuhë të huaja. Hapi i parë në karrierën ndërkombëtare ishte puna në rrjetin televiziv gjerman DW-TV, ndërsa më vonë ajo u angazhua nga media të njohura si CNN në Shtetet e Bashkuara, Sky Sports dhe Fox Sports në Kanada.
Gjatë viteve, ajo ka raportuar nga disa edicione të Kampionatit Botëror të futbollit për meshkuj dhe femra, përveçse ka mbuluar edhe kompeticionet më të rëndësishme të futbollit evropian.
Prej vitit 2020, Kate Scott është pjesë e CBS Sports, ku drejton emisionin “UEFA Champions League Today”. Pikërisht në këtë studio është forcuar edhe bashkëpunimi i saj me komentuesit sportivë Jamie Carragher, Micah Richards dhe Thierry Henry.
“Topi i Artë” është një event i njohur për të. Si mbështetëse e Manchester Unitedit, ajo e ka prezantuar ceremoninë edhe tri herë të tjera, në vitet 2014, 2015 dhe 2025. Në këto edicione, trofeu iu dha përkatësisht Cristiano Ronaldos, Lionel Messit dhe Ousmane Dembeles.
Njohja e katër gjuhëve, anglishtes, spanjishtes, gjermanishtes dhe frëngjishtes, përbën një tjetër avantazh për gazetaren britanike. Kjo aftësi, e kombinuar me eksperiencën e saj në skenat kryesore të futbollit botëror, e bën Kate Scott një zgjedhje të përshtatshme për të drejtuar ceremoninë që bashkon yjet më të mëdhenj të këtij sporti.






