Fiat ka prezantuar në Panairin e Automobilave në Paris konceptin Multiplay, një automjet i veçantë që ndërthur tiparet e një SUV-i, të një minibusit familjar dhe të një pickup-i.
Të lidhura
None found
I krijuar për t’iu përshtatur familjeve dhe njerëzve me mënyra të ndryshme jetese, modeli ofron një nivel të lartë fleksibiliteti falë konfigurimit të tij të ndryshueshëm.
Multiplay mund të përdoret fillimisht si veturë familjare me tri radhë ulësesh, ndërsa më pas shndërrohet në pickup me katër ulëse dhe një hapësirë të hapur për transportin e ngarkesave.
Ky ndryshim bëhet i mundur nga sistemi modular “Metamorfosi”, i cili lejon lëvizjen e pjesës së pasme të çatisë së bashku me radhën e tretë të ulëseve.
Automjeti është 4.45 metra i gjatë dhe mund të transportojë deri në gjashtë persona. Në kabinë është parashikuar edhe një ulëse e posaçme për kafshët shtëpiake.
Kur përdoret në konfigurimin pickup, Multiplay ka pajisje për fiksimin e ngarkesave dhe një mbajtëse të integruar që mundëson transportin e dy biçikletave.
Fiat nuk ka dhënë ende të dhëna për motorin e këtij koncepti, megjithëse mundësia që ai të jetë elektrik mbetet e hapur. Kabina ndërkohë tërheq vëmendjen me pamjen futuristike dhe ekranin ultra të gjerë.
Kompania ka sqaruar se Multiplay nuk përfaqëson paralajmërimin e një modeli konkret që do të prodhohet, por shërben si një paraqitje e ideve për automjetet e së ardhmes. /Telegrafi/







